E Hënë, 2 Nëntor 2026

KLSH denoncon 3 861 070 000 lekë dëme

03/03/2005  3 861 070 000

shkeljet në total në buxhetin e shtetit

janë ushtruar 205 kontrolle

55 048 000 lekë qira të papaguara

371 681 000 lekë shpërblime të padrejta

6 565 000 lekë udhëtime dhe dieta

156 944 000 lekë shkelje në prokurimet publike për 48 subjekte

Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqet në Kuvend shifrën drastike të abuzimeve nga institucionet

Zbardhen shkeljet në tenderat e shpallura nga ministritë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e paraqitur në Kuvend, është shprehur se në institucionet shqiptare rezultojnë 3 861 070 000 lekë dëme dhe vjedhje. Kjo shumë ka rezultuar vetëm nga 205 kontrolle, të ushtruara si në Pushtetin Qendror dhe në atë Vendor. Shqetësim kanë mbetur tenderat që zhvillohen në ministri të ndryshme. Sipas dokumenteve të paraqitura, fenomenet më të hasura në institucionet shtetërore janë shpërblimet e paargumentuara me nga dy rroga, dieta dhe pagesa të telefonive celulare. Ndërkohë që mbrapa nuk kanë mbetur dhe shkeljet në prokurimet publike.

Tenderat

Raporti vlerëson se janë 156 944 000 lekë shkelje në prokurimet për 48 subjekte të kontrolluara. Ndërsa janë verifikuar 841 tendera. Shkeljet janë vënë re në Ministrinë e Arsimit, në të Rendit, Transportit, Drejtësisë, Mjedisit dhe të Punës e Çështjeve Sociale. KLSH ka vënë re se shpesh fitues i tenderit ka dalë konkurrentit që ka paraqitur çmime më negative. Gjithashtu, ka pasur raste kur janë paguar dy herë i njëjti zë punimesh. Kontrolli i Lartë i Shteti thekson se gjatë një viti janë regjistruar shkelje të disiplinës financiare, në masën 2 674 700 000 lekë. Kjo shifër ka rezultuar nga kontrolli në 37 subjekte. KLSH vë re se nga institucionet ka sponsorizime të paligjshme dhe pagesa të telefonisë tepër të larta. Një fenomen i tillë është vënë re dhe më parë.

Qiratë

Sipas raportit të KLSH-së, gjatë vitit 2004 nuk janë mbledhur 55 048 000 lekë qira nga ambientet shtetërore, që iu janë dhënë në dispozicion të tretëve. Për këto shuma është kërkuar dëmshpërblimi. Megjithatë, është vënë re se administratorët e pronës shtetërore kanë dhënë me qira të ulët ambientet shtetërore. Kjo kufizon mundësinë për zhdëmtim. "Ka aplikime të pasakta të çmimit të qirasë, konkretisht me 1 dollarë m2, nga 300 lekë metri katror, që është përcaktuar në legjislacionin në fuqi. Kjo ka përbërë shkelje flagrante", thuhet në raportin për vitin 2004 të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Shpërblimet

Sipas KLSH-së, punonjësit e administratës publike kanë marrë 371 681 000 lekë shpërblime të padrejta dhe 6 565 000 lekë udhëtime dhe dieta të paargumentuara. Një tjetër fenomen është vërejtur dhe në përcaktimin e pagave tepër të larta për punonjësit në administratë, të cilët nuk e kanë marrë diplomën e shkollës së lartë. Gjithashtu është vënë re se ka abuzime dhe me shpërblimin me rrogë të 13-të të nëpunësve civilë pa marrë mbështetjen ligjore. Për këto raste është përmendur KQZ, Ministria e Transporteve, Kulturës, Arsimit, Ministria e Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›