E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Musho mund ta ketë hedhur Irenën natën në det"

03/03/2005  Ylli Seli: Tre dyshimet e familjes për zhdukjen e 16 dhjetorit

Familja e Irena Selit ka shpresa të venitura se çështja e zhdukjes së Irenës do të zbardhet. Dyshimi, që për fat të keq ata kanë frikë se po kthehet në bindje, është se Irena është vrarë. Dhe personi i vetëm i dyshuar për ta është ish-bashkëshorti Agim Musho. Ylli Seli, vëllai i së zhdukurës, ngre pretendimet që rrëzojnë alibitë e shumta të Mushos. "I ndan vetëm trupi" me çështjen e "Erietës" thotë Ylli, duke u kërkuar ndjesë prindërve të saj për hapjen e kësaj plage.

Letra

Seli shkruan se, "kemi humbur shpresat përfundimisht se do zbardhet çështja e zhdukjes së Irenës. Ka dy muaj e gjysmë dhe s’ka shenjën më të vogël se është gjallë. Pyesim në Prokurori e na përcjellin me ngritje supesh dhe me fjalët se një ditë do të zbardhet, por kur do të vijë ajo ditë? Ndoshta pas një, dy apo tre vitesh, ose them kështu se jemi në një vend ku lulëzon krimi, e fajtorët janë të qetë para televizorit, duke ndjekur ngjarjet ose duke lexuar artikujt rreth krimit. Ata buzëqeshin me dhimbjen që u kanë shkaktuar viktimave. Dyshoj në zbardhjen e së vërtetës, sepse krime kryhen pothuaj çdo ditë dhe nuk di në sa raste u zbuluan. Kush është shënjestër e radhës e krimit? Paaftësia për të ndryshuar më bën të dyshoj se problemi nuk ka zgjidhje dhe të shpresoj te Zoti për një lajm të mirë".

Dyshimet

Tre janë dyshimet e familjes sonë. Hedhja në det nga bashkëshorti i saj gjatë rrugës Trieste-Durrës, i cili është shoqëruesi i vetëm në udhëtimin e fundit të Irenës. Për shkak xhelozie dhe në moment çmendurie mund ta ketë kryer krimin natën dhe në mungesë të dëshmitarëve. Prandaj është i qetë se nuk do të zbardhet çështja në mungesë të atyre që mund ta kishin parë, duke pretenduar se nuk do të zbulohet kurrë. Dyshimi i dytë, që dhe nëse ka zbritur Irena në portin e Durrësit, gjë që s’u provua kurrë, ç'ka bërë i shoqi që nga ora 13.30 deri në orën 18.30 që motra e tij erdhi e më komunikoi zhdukjen? Cilat janë lëvizjet e familjarëve të tij gjatë këtyre orëve. Ose dyshimi tjetër ka të bëjë më faktin që motra ime të jetë rrëmbyer nga persona mafiozë që kanë dashur të përfitojnë ndonjë shumë parash në kërkim të jetës së Irenës. Por nga kthesa që morën ngjarjet, e kanë likujduar fizikisht për të mos treguar autorët e rrëmbimit.

Mohimet

Ylli pohon se "përjashtoj thëniet abuzive se Irena Seli është larguar me dëshirën e saj. Nuk do të lejoj asnjë, kushdoqoftë ai, që të abuzojë, duke aluduar se ajo është e gjallë dhe dosja të mbyllet për mungesë provash. Dua t'i kërkoj ndjesë prindërve të Erietës, që i kemi ngacmuar plagën, por dua të theksoj se janë raste binjake. Ngjasojnë në zhdukje, alibia e arratisjes, mungesë provash për vdekjen e tyre. Unë nuk do të pushoj kurrë së kërkuari motrën, cilido qoftë çmimi i këtij kërkimi".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›