SHISH-i dhe specialët marrin në ruajtje Ambasadën Amerikane
Tiranë - Shërbimi Informativ dhe Forcat Speciale marrin në ruajtje Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë. Pas vendosjes së Policisë së Shtetit dy ditë më parë në regjim gatishmërie, repartet e gatishmërisë së lartë kanë marrë detyrat e precizuara në ruajtje të objekteve të rëndësisë së veçantë si dhe ambasadat e vendeve që janë shprehur pro pavarësisë së Kosovës.
Shërbimet
Prej disa ditësh, agjentë të specializuar të Shërbimit Inteligjent Shqiptar kanë marrë në ruajtje ambasadën e vendit mik të shqiptarëve që ka kontributin absolut në pavarësinë e Kosovës. Shërbimet e tyre të përforcuara janë thuajse të padukshme, por burimet thanë se dhjetëra agjentë janë instaluar pranë ambasadës dhe rezidencës “Rilindja Riedge” të diplomatëve në Rrugën e Elbasanit. Por veç agjentëve sekretë dy ditë më parë rreth orës 14:00 morën detyrën për të kryer shërbim 24-orësh edhe efektivat e Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë 712. Sipas burimeve, specialët do të kenë në mbikëqyrje Ambasadën Amerikane me një grup të ndërrueshëm çdo tetë orë dhe po në këtë regjim do të ruhet edhe rezidenca e diplomatëve. Madje, forcat speciale mësohet se në këtë të fundit qëndrojnë brenda territorit. Pra, burimet thanë se edhe pse nuk ka informacione për ndonjë incident, përsëri Ambasada Amerikane është vënë nën masa të rrepta sigurie. Po kështu një grup i tretë i specialëve është instaluar po me regjim të njëjtë shërbimi edhe në bllokun e ambasadave për të ruajtur kryesisht ambasadat e vendeve që janë shprehur hapur krah Kosovës së pavarur.
Masat e sigurisë
Ky nuk është rasti i parë që Ambasada e SHBA-ve në Tiranë vihet nën masa të rrepta sigurie. Duke iu referuar mediave të shkruara në gusht të vitit 1998, efektivat e RENEA-s, forcat speciale dhe ato të qarkullimit rrugor në kryeqytet i bënë një rrethim trefish në formë dare në miniaturë Ambasadës Amerikane. Kjo erdhi menjëherë pas shpërthimeve në kryeqytetin Dar Es Salam të Tanzanisë dhe në Najrobi të Kenias ku u hodhën në erë ambasadat amerikane me bilancin tragjik 250 të vdekur dhe 5 mijë të plagosur. Më 22 gusht 1998, në kuadrin e supermasave të sigurisë në selinë e ambasadës u vendosën disa blloqe gjigante betoni në hyrje të rrugicës dhe një tank. Ndërkohë, të gjitha rrugët që të çojnë te godina u bllokuan. Nën masa sigurie ka qenë Ambasada Amerikane në Tiranë edhe gjatë sulmit ajror të NATO-s mbi ushtrinë e Milosheviçit. E njëjta situatë për marrjen e masave të sigurisë u krijua edhe pas sulmit terrorist ndaj kullave binjake në Nju Jork. Herë pas here, edhe pse ambasada e vendit që e ka përkrahur më shumë se kushdo tjetër çështjen kombëtare shqiptare ka ruajtje perfekte nga personeli i saj, ajo është vënë nën masa ruajtjeje edhe nga specialët shqiptarë.
Masat e sigurisë
7 gusht 1998
Pas shpërthimeve në kryeqytetin Dar Es Salam të Tanzanisë dhe në Najrobi të Kenias, ku u hodhën në erë ambasadat amerikane me bilancin tragjik 250 të vdekur dhe 5 mijë të plagosur, në Tiranë nis frika e atentateve me bomba. Një skuadrilje me marinsa amerikanë rrethojnë ambasadën në Rrugën e Elbasanit dhe e marrin në mbrojtje.
10 gusht 1998
Me të marrë njoftimin, repartet e RENEA-s, forcat speciale dhe ato të qarkullimit rrugor në kryeqytet, i bënë një rrethim trefish në formë dare në miniaturë Ambasadës Amerikane.
12 gusht 1998
Një telefonatë e marrë në Ambasadën Amerikane bënte të ditur se në këtë godinë do të vihej bombë pradaj aty shkuan ekspertët dhe efektiva të forcave speciale.
14 gusht 1998
Pas një urdhri të Departamentit të Shtetit mbyllet në Tiranë Ambasada Amerikane, ku ambasadore ishte Mariza Lino. Sipas të dhënave, ajo ishte në shënjestër për t’u sulmuar me shpërthime nga islamikët.
18 gusht 1998
Departamenti i Shtetit Amerikan urdhëron reduktimin e personelit të Ambasadës Amerikane në Tiranë ku ambasadore ishte Mariza Lino. Shkak për këtë shërbeu frika e ndonjë sulmi terrorist. Ndërkohë presidenti Bill Klinton urdhëroi që godinën e ambasadës në Rrugën e Elbasanit ta ruajnë 200 marinsa të instaluar në një anije luftarake në Detin Adriatik. Po në këtë ditë, marinsat rrethuan ambasadën duke e marrë në ruajtje. Ndërkohë, nëpërmjet telefonit mbërrin një telefonatë për vendosje bombe e cila rezultoi e rreme.
22 gusht 1998
Supermasa sigurie në selinë e ambasadës. Marinsave u shtohet edhe vendosja e disa blloqeve gjigante betoni në hyrje të rrugicës dhe një tank. Ndërkohë, të gjitha rrugët që të çojnë te godina u bllokuan.
10 shtator 1998
Për herë të parë në SHIK ngrihet dega e antiterrorit. Ekspertë nga SHBA dhe Franca ndihmojnë specialistët shqiptarë.
27 dhjetor 1998
Zbulohet se janë vjedhur 160 metra tel-rrjetë nga rrethimi i dytë i Ambasadës Amerikane. Përfaqësuesit diplomatë bëjnë denoncimin në Prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që rruga që të çon te ambasada bllokohet sërish.
15 shkurt 1999
Arrestohen Muhamed Jasim nga Irani dhe Abdyl Maem nga Siria, i dyti me shtetësi shqiptare. Dy të rinjtë ishin të inkuadruar në klubin rinor islam “Ëag”. Dyshohen se kanë pasur qëllim sulm me eksploziv të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Maj 1999
Forcat speciale marrin në ruajtje Ambasadën Amerikane, ishte koha kur avionët e NATO-s bombarduan repartet ushtarake të Serbisë.
11 shtator 2001
Pas sulmit ndaj kullave binjake në Nju-Jork të SHBA-ve, forcat speciale shqiptare morën në ruajtje Ambasadën Amerikane në Tiranë që u vu në alarm më 11 shtator.
Korrik 2004
Ambasada Amerikane në Tiranë shpenzon rreth 1 milion dollarë për të rritur sigurinë në ambientet e saj të brendshme me dyer dhe dritare rezistente ndaj plumbave, shpërthimeve apo sulmeve të ndryshme.
18 Shkurt 2008