KLSH shpenzon 1 242 619 lekë për të verifikuar abuzimet
03/03/2005 Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të arritur në evidentimin e dëmit, që i është bërë shtetit gjatë vitit 2004, ka shpenzuar 1 242 619 lekë. Sipas llogarive për çdo një lek që ka shpenzuar KLSH është kërkuar zhdëmtimi prej shkelësve me 18.4 lekë. Gjithashtu është bërë e ditur se shpenzimet janë argumentuar në zbatim të ligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Sipas planit të paraqitur, shpenzimet janë paraqitur për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative, ndihmë në sëmundje, investime. Ndërsa është bërë e ditur se çdo tejkalim i shpenzimeve është zhdëmtuar menjëherë. KLSH bën të ditur se gjatë këtij viti është përfituar dhe një donacion prej Bashkimit Evropian, të një pakete kompjuterash me vlerë 7 853 319 lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se gjatë këtij viti nuk ka pasur probleme në marrëdhëniet me institucionet që i nënshtroheshin kontrollit. Madje, dhe raportet e paraqitura janë pranuar thuajse të plotë. KLSH thekson se në ushtrimin e detyrës është kërkuar dhe marrja e masave për parandalimin e dëmit ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit. Tendenca, sipas KLSH-së, ka qenë paraqitja e raporteve mëse konkrete, për masmedian, si dhe për të kontrolluar sa më realisht përdorimin e fondeve të Buxhetit të Shtetit.