E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo gjen akordin me Milanin

Braziliani Ronaldinjo është pranë largimit të tij nga Barcelona, për të veshur fanellën e Milanit në edicionin e ardhshëm. Fantazisti brazilian ka arritur akordin me klubin italian, për një kontratë katërvjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 8 milionë euro në vit, duke pasur mundësinë që të shfrytëzojë 100% të të drejtave të imazhit. Nga ana tjetër, mbetet për t‘u përcaktuar edhe shuma që do të paguajë Milani për të siguruar shërbimet e futbollistit. "Parimisht, Ronaldinjo dhe Milani kanë gjetur akordin", ishte deklarata e De Asis pas përfundimit të një tjetër takimi pune me Adriano Galianin. Administratori i përgjithshëm i kuqezinjve, nga ana e tij ka kërkuar më shumë kohë për të përcaktuar përfundimisht afatet e kalimit të futbollistit brazilian. "Kemi gjetur gjuhën e përbashkët me futbollistin. Tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë me Barcelonën, por duhet më shumë kohë", u shpreh ai. Arsyeja kryesore është pjesëmarrja e skuadrës katalanase në Ligën e Kampioneve, me finalen e programuar me 21 maj, datë në të cilën Ronaldinjo mund të jetë i riaftësuar nga dëmtimi. Nëse njëra pjesë e qytetit të Milanos gëzon për mbërritjen e brazilianit, pjesa tjetër, ajo e zikaltërve të Interit, po mendon për kundërpërgjigjen. Duket se Morati ka gjetur edhe emrin e duhur për të kënaqur tifozerinë, sulmuesin e Çelsit, Didier Drogba, i cili ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të transferohet në Itali. Ndërsa trajneri Mançini, në konferencën e zakonshme për shtyp, është munduar të ulë vlerat e futbollistit brazilian. "Ronaldinjo? Aktualisht po mendoj për 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Por ne kemi Balotelin, i cili është më i rrezikshëm afër portës, është i ri dhe mund të mësojë edhe pozicione të tjera në fushë", ironizoi ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›