E Diel, 1 Nëntor 2026

KMDLNJ: Sejdiu shkeli Kushtetutën, s’i takojnë privilegjet

Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 14:44

(E plotësuar) Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se me vëmendje ka përcjellë zhvillimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila konstatoi se presidenti në detyrë, Fatmir Sejdiu, kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Për rrjedhojë, Sejdiu u detyrua të japë dorëheqje nga ky post. “Çuditërisht, edhe si shkelës i Kushtetutës po përfiton me shfrytëzimin e privilegjeve të Presidentit”, shprehet KMDLNJ, nëpërmes një komunikate shtypi.

“Nga informacionet që kemi është e qartë se ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas largimit nga detyra, si pasojë e shkeljes së rëndë të Kushtetutës ka shfrytëzuar të gjitha privilegjet e parapara sipas Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës Nr. 03/L-094. Këtyre ditëve ish-Presidentit i është dhënë në shfrytëzim edhe një zyrë në ndërtesën ku gjendet Presidenca e Republikës së Kosovës”.

Nga aspekti ligjor, KMDLNj konstaton se edhe këtu ka pasur shkelje të rëndë të Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Sejdiu rikthehet në Presidencë

Fatmir Sejdiu është kthyer në Presidencë. Jo si president, por si njeri që e ka ushtruar këtë post për rreth pesë vjet.

Gazeta Koha Ditore shkruan se për çdo ditë pune, Sejdiu tash kalon nga selia ku ka pritur e përcjellë personalitete të larta botërore e vendëse dhe ngjitet në katin e sipërm të objektit të Kuvendit të Kosovës. Aty, tash e ka një zyrë ku mund të punojë në qetësi. Ka qenë sekretari i Presidencës, ai që është përkujdesur për krijimin e asaj hapësire. Zyra edhe i ka takuar. Ka qenë president shteti, në dy mandate, ndonëse asnjërin s’e ka çuar deri në fund.

Shefi i protokollit të Presidencës, Bilall Sherifi, tregon se ka më shumë se një javë që presidenti Sejdiu është bërë me atë zyrë.

Por nuk ka shumë informata sesi qëndron puna rreth angazhimit të stafit mbështetës të Sejdiut.

“I takon sekretarit të Presidencës që ta zbatojë Ligjin për presidentin”, thotë ai.

Sherifi rikujton se ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, qysh në fillim të mandatit, i ka rekomanduar kreut të administratës së Presidencës, që të veprojë me rastin e Sejdiut, ashtu siç parashihet me ligjin për të parin e shtetit.

“Krasniqi nuk është lëshuar në kurrfarë interpretimesh të ligjit, por i ka thënë sekretarit që të konsultohet me Zyrën ligjore dhe t’ia plotësojë kushtet që i takojnë Sejdiut”, shprehet Bilalli.

Sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Fahri Breznica, kohë më parë ka njoftuar se Sejdiu, pos veturës dhe sigurimit nga policia është duke e gëzuar edhe 70% të pagës që merr presidenti.

E paga e kreut të shtetit është 3 100 euro, apo 25% më e lartë se ajo e kryetarit të Kuvendit.

Aq sa merr Sejdiu nga shteti, merr edhe familja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Mes Sejdiut dhe trashëgimtarëve të Rugovës, megjithatë ekziston një dallim. E veja e Rugovës përfiton një pagë ekstra nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, as ajo në fakt nuk merr aq sa i janë premtuar nga partia të cilën ia ka udhëhequr bashkëshorti për 16 vjet rresht. Drejtuesit e LDK-së kishin vendosur që t’ia ndanin 2 500 euro në muaj, por, ka më shumë se një vit që ajo i merr vetëm 500 euro.

Në bazë të ligjit, presidenti pas përfundimit të mandatit ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatëmujore të transicionit në jetën private.

“Fondet mund të përdoren për zyrë, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën transitore”, thuhet në ligj. Me ligj, pos tjerash, parashihet që presidenti dhe familja e tij, pas përfundimit të mandatit, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe në shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës. Por, Kosova, për fat të keq nuk ka as spital ushtarak e as sigurime shëndetësore të rregulluara me ligj. Fatmir Sejdiu njihet si presidenti i dytë i Kosovës. Ai është larguar nga Presidenca, duke e dhënë dorëheqjen në mes të mandatit të dytë, për shkak të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese se ka bërë shkelje kushtetuese përmes mbajtjes së posteve të dyfishta politike.

Dorëheqja e tij është përcjellë me krizë institucionale, pasi ka ndikuar në prishjen e koalicionit qeverisës PDK - LDK. Rrjedhimisht, pas vetëshkarkimit të Qeverisë dhe shpërbërjes së Kuvendit, vendi është shtyrë të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor. Personalisht, Sejdiu nuk e pa të udhës të merrte pjesë në këto zgjedhje. Nga nëntori i vitit të kaluar ai është “Kryetar nderi” i LDK-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›