E Diel, 1 Nëntor 2026

KMDLNJ: Diskriminimi në baza etnike, i papranueshëm

Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 16:30

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë ka shprehur shqetësim për reagimin e mësimdhënësve të shkollës fillore “Elena Gjika” me rastin e emërimit të zëvendësdrejtorit të shkollës nga komuniteti turk, Daut Hamullar.

Përmes një kumtese për media, KMDLNJ vlerësoi se reagimet e mësimdhënësve të kësaj shkolle janë ofenduese, degraduese dhe shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, madje fyerjet ndaj zv.drejtorit marrin edhe përmasa raciste.

KMDLNJ konstaton se emërimi i zv.drejtorit të shkollës është i ligjshëm. Bojkotimi i mësimit nga mësimdhënësit e kësaj shkolle është një mesazh i keq për nxënësit e shkollës fillore “Elena Gjika”.

“Këta mësimdhënës duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Mësimdhënësit duhet të mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut para nxënësve të kësaj shkolle, e jo të jenë shembull i keq për gjeneratat e reja”, thuhet në kumtesën e KMDLNJ-së.

Për KMDLNj është shqetësues fakti që këta mësimdhënës nuk merren me kualitetin apo kushtet e mësimit, por atakojnë në mënyrë jo të drejtë personin e cili është pjesëtar i komunitetit turk.

“Deklarimet në media se z. Hamullar nuk është i përshtatshëm për shkollën janë të papranueshme. Sidomos është i papranueshëm fakti që këta mësimdhënës arsyetimin e mbështesin në përkatësinë etnike të z. Hamullar”.

Në këtë rast, KMDLNJ rikujton mësimdhënësit e kësaj shkolle se nëse ka pasur shkelje ligjore në shkarkimin e zv.drejtorit të mëparshëm, ka mundësi ligjore për ankesë, por është i papranueshëm fakti që personi i emëruar të jetë jo i pranueshëm për arsye të përkatësisë etnike.

Po ashtu, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut thekson faktin se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të komuniteteve dhe ndërtimi i një shteti qytetar është obligim i të gjithëve, kurse promovimi i të drejtave dhe lirive fundamentale është posaçërisht detyrë e mësimdhënësve si përçues direkt te këtyre vlerave tek gjeneratat e reja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›