Shkarkohet ish-komandanti i policisë në veri
Ish-komandanti i stacionit të policisë në veri të Mitrovicës, Milija Millosheviq, i cili se fundi ishte transferuar në detyrën e shefit të njësisë për komunitete, është shkarkuar edhe nga kjo detyrë.
Burime të Kosovapressit brenda policisë, kanë bërë të ditur shkarkimi i eshte komunikuar sot Millosheviqit, nga vetë drejtori i ërgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, nëpërmes një bisede telefonike.
Zyrtari policor Millosheviq kohë më parë ka qenë transferuar nga detyra e drejtorit të stacionit në shef të njësisë për komunitet dhe është hetuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.
Ndërsa nga zyra për informim në Prishtinë është konfirmuar se Komisioni për Emërime të Larta dhe Disiplinë në Polici i ka dorëzuar rekomandimin për rastin në fjalë drejtorit Maliqi.
“Nuk di nëse është shkarkuar ose jo zyrtari policor Milija Millosheviq, por një rekomandim nga Komisioni për Emërime të Larta dhe Disiplinë ka ardhur tek drejtori Maliqi dhe ai është duke e shqyrtuar atë. Besoij se më vonë do të ketë diçka zyrtare”, ka thënë zëdhënësi, toger Baki Kelani.
Pas shkarkimit, tani zyrtari policor Milija Millosheviq ka 8 ditë afat që të bëjë ankesë tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe nëse nuk e bënë këtë nuk mund të kthehet më në detyrë.