Sejdiu: Beogradit t’i përcaktohen vijat e kuqe

Faktori ndërkombëtar ta përcaktojë shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe për Serbinë, ka thënë Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sejdiu ka thënë se Kosova duhet të ketë vetëm një qëndrim - se mund të bisedohet për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me nevojën apo me ndjenjën e relaksimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, dhe që është edhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve sovrane - por gjithmonë në bazë të barabartë dhe asnjëherë jashtë këtij pozicioni.
“Dhe, e dyta, Kosova mund të bisedojë gjithmonë për aq sa është e nevojshme në zbatimin e propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, por jo jashtë”, ka thënë ai.
Kosova, sipas tij, duhet të angazhohet për integrimin aktiv të qytetarëve edhe të tri komunave të veriut, por asnjëherë të ketë ndonjë ndjenjë që të rinegocohet pozicioni i këtyre tri komunave apo pozicioni i veriut të Kosovës.
“Ne jemi mësuar thjesht në ciklin e rëndë të bisedimeve që kemi pasur me Serbinë para periudhës së pavarësimit të vendit, që të ketë stërzgjatje dhe të ketë një qasje destruktive dhe joracionale nga ana e tyre. Të shohim se çfarë do të sjellë koha. Unë mendoj se është e nevojshme që edhe pjesa e faktorit ndërkombëtar të përcaktojë shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe, të cilat nuk mund të kapërcehen”, porosit ish-presidenti i Kosovës.
Sa i përket qëndrimit të LDK-së, që ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Sejdiu, ish-kryetar i kësaj partie, tash kryetar nderi i saj, ka thënë: “Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shprehur këtë qëndrim dhe unë e respektoj - unë nuk kam ndonjë qasje tjetër nga ajo që marrin organet e partisë”.