E Diel, 1 Nëntor 2026

KMSH: Nuk mund të pranojmë varret murale

Një propozim është krijimi i varreve murale, por kjo kundërshtohet nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, i cili në urdhëresat kuranore kërkohet varrimi i të vdekurve nën dhé dhe jo mbi të.

Por, hapësirat zihen tej mase edhe për shkak të ndërtimit të varreve me pllaka betoni të mëdha dhe kangjella hekurash, çka në Islam gjithashtu nuk është e pëlqyeshme. Në takimin e sotëm për këtë temë midis Bashkisë së Tiranës dhe komuniteteve fetare u diskutuan mundësitë e varrezave të reja.

 Kreu i KMSH-së, Selim Muça, tha gjatë mbledhjes se për myslimanët nuk ka alternativë tjetër përveç varrosjes në dhé. “Gjendemi para një problemi delikat, për të cilin duhet të gjejmë një zgjidhje të pranueshme. Si përvojë myslimanët e kanë zakon që të vdekurit të varrosen në tokë. Ne nuk kemi përvojë tjetër veç kësaj”, Muça. “Kam dëgjuar që përtej zonës së Kombinatit ka toka të tjera që mund të përdoren për këtë qëllim. Nëse shteti gjen toka të lira, do të jetë zgjidhja më e mirë. Nuk besoj që myslimanët do jenë dakord për varrezat murale. E vetmja alternativë është varrimi në tokë… Nuk mungojnë tokat e lira”, shtoi ai.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti u shpreh se do të marren në shqyrtim të gjitha propozimet, për të arritur në një përfundim në mirëkuptimin e të gjitha palëve. Duke prezantuar nismën për krijimin e varrezave murale, Panariti tha se me këtë zgjidhje varrezat do të kenë kosto të ulët dhe do të zënë më pak hapësirë territoriale në qytet. “Respektojmë ndjeshmëritë që vijnë nga besimet fetare”, u shpreh Panariti, duke cituar ligjin islam për zhvarrimet. “Në paragrafin 648 thuhet se: është haram të hapet varri i një myslimani. Megjithatë nuk ka kundërshti nëse trupi është dekompozuar plotësisht. Kjo është ajo që ne duhet t’i referohemi. Prandaj në propozimin tonë për varrezat murale ne i referohemi varreve shumë të vjetra, ku procesi i dekompozimit është i përfunduar. Por mbetem i hapur për të parë si alternativë edhe gjetjen e trojeve të lira, pavarësisht kostos së lartë që kjo zgjidhje mbart”.

Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Don Gjergj Meta, u shpreh se vdekja dhe varrimi ka një dinjitet. “Por nga ana tjetër shohim edhe problematikën e madhe në këtë drejtim. Në ritualin katolik, teologjik, kur varroset dikush thuhet se: njeriu është i krijuar nga toka. Por çështja shtrohet nga pikëpamja pragmatike dhe praktike. Në traditën katolike, varrezat murale janë një praktikë e konsoliduar. Mendoj që duhet të shtrohen të gjitha alternativat, por bashkia ka për detyrë të monitorojë sensibilitetet e ndryshme”, nënvizoi ai. 

Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse, Episkop Andoni tha se “e mira e të mirave është që të vijojë e njëjta traditë, ajo e varrimit në tokë, por ekzistojnë tradita në vendin tonë, ku pas tre viteve që dikush është varrosur në tokë, e është dekompozuar, për shkak të mundësive ata zhvarroseshin, duke u vendosur në një vend që njihet si ‘vendi i të fjeturëve’. Ishte një mënyrë racionale e shfrytëzimit të tokës. Për shkak të kushteve të vështira, e kuptojmë nevojën e varrezave murale, por theksojmë se kjo ka të bëjë me ato varre që janë mbi tre vjeçarë dhe më tepër”. /Start/

                                                                                             2012-04-16 15:29
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›