E Hënë, 2 Nëntor 2026

Partitë nisin garën për emigrantët

05/02/2005  Në Kuvend paraqiten tre iniciativa për pjesëmarrje në votime të shqiptarëve jashtë atdheut

Një e treta e shqiptarëve punojnë dhe jetojnë në shtete të botës

Votimi i emigrantëve dhe shqiptarëve të diasporës po bëhet çdo ditë e më shumë problemi i ditës në politikën shqiptare. Pas deklarimeve për këtë çështje të LSI-së, PR-së, tashmë është Partia Demokratike, e cila deklaron se do të ndërmarrë nismë parlamentare për t’u krijuar mundësi emigrantëve të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kryetari i opozitës, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, tha se PD-ja do të ndërmarrë nisma ligjore parlamentare për t’u krijuar lehtësira emigrantëve. “Të kesh frikë nga vota e emigracionit është një gjë e pakonceptueshme. Le t’u japim mundësinë të votojnë. Kjo ishte një nga kërkesat e tyre, dhe unë e ndjeva veten të turpëruar, pasi nuk mund t’i jepja përgjigje për këtë çështje. Diaspora do të angazhohet në procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe kërkon të votojë, gjë për të cilën unë angazhohem se do të marr nismë parlamentare. Nuk mund të mos votojnë shqiptarët njëlloj si qytetarët e tjerë, pavarësisht largësisë së tyre”, tha Berisha, pak ditë pasi ka ardhur prej një vizite në SHBA.

Procesi

Emigrantët jashtë kufijve të Shqipërisë përbëjnë një të tretën e votave në të gjithë vendin. Nisma parlamentare për votimin e emigrantëve është hedhur nga të dy krahët e politikës. Debati vjen vetëm pak javë pas miratimit të kodit të ri zgjedhor. Në asnjë nen të tij nuk parashikohet mënyra e votimit për shqiptarët jashtë vendit. Dy partitë më të mëdha në vend, që ishin dhe hartuese të Kodit Zgjedhor, megjithëse deklarojnë se e kanë pjesë të programit votimin e një të tretës së shqiptarëve jashtë trojeve, sërish nuk morën asnjë iniciativë për implementimin e kësaj çështjeje në kodin e ri zgjedhor. Republikanët dhe LSI ishin të parët që e ngritën zërin për futjen në listat e votimit të paktën të shqiptarëve që ndodhen në shtetin fqinjë, Greqi. Republikanët, vetëm pak ditë më parë, propozuan që shpenzimet e emigrantëve, për të ardhur në Shqipëri që të votojnë, duhet të kompensohen nga shteti. Sipas tyre, emigrantët kanë të drejtën e plotë, pasi paguajnë për shërbimet në konsullatat shqiptare. Gjithsesi, implementimi i një pike të tillë, sipas specialistëve të ligjeve, do të kërkonte një rishikim të Kodit Zgjedhor, ku të shtohet dhe neni që flet për votimin e emigrantëve. Një problem tjetër, sipas tyre, është dhe infrastruktura zgjedhore për këtë çështje, pasi duhet menduar se si do të kryhet ky proces votimi për shtetasit që janë jashtë Shqipërisë, pra ata do të votojnë në vendin e tyre, apo do të shihet mundësia që të votohet në vendet ku janë. Nga ana tjetër, për këtë qëllim duhen hartuar listat përkatëse dhe duhet riparë edhe një herë regjistrimi i popullsisë, në një kohë që jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›