E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriteret sipas përdorimit dhe fitimit të njesisë

05/02/2005  Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të pronave në vendimin që ka marrë dy ditë më parë, për çmimin e tokës, nuk është mbështetur në tregun real të shitblerjeve, por në saktësimin e të ardhurave që vjen nga një njësi prone. Duke i llogaritur vlerat me koeficientin e afërsisë me qendrat e banuara dhe më infrastrukturën, Komiteti pretendon se ka arritur në caktimin e çmimit real të tokës. Kështu, për tokat bujqësore, çmimi do të caktohet duke i shtuar fitimit nga kulturat që mbillen, koeficientin e afërsisë me tregun, infrastrukturën dhe vaditshmërinë. Ndërsa për tokat troje, çmimi do të bazohet në katet që lejohet për ndërtimin e pallateve, duke i shtuar infrastrukturën si dhe ofertat që ka tregu në shitjen e apartamenteve. "Kriteret bazë në të cilat është bazuar përllogaritja e çmimit të tokave, sipas llojeve të saj, janë: për tokat bujqësore, është qëllimi i përdorimit të tokës bujqësore, për prodhimin bujqësor, i cili do të merret në konsideratë për vlerësimin. Në rastin e truallit urban, merret si kriter ndërtesa që ngrihen në këto troje, duke e vlerësuar në mënyrë indirekte, për faktin që tregu në Shqipëri është një treg komplet informal dhe i pasigurt për t'u marrë në konsideratë. Por çmimet që ne propozojmë marrin në konsideratë tregun, por në një formë tjetër, në formë e shitjes së këtij prodhimi. Çmimi është bazuar në çmimet aktuale të agjencive imobiliare për ndërtesat. Ndërkohë që çmimet e hipotekës nuk janë marrë në konsideratë, për shkak se çmimet do të ishin shumë herë më të ulëta. Ne i jemi referuar vlerës që është më afër vlerës së truallit", tha në prononcimin e tij, Sokrat Sinaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›