E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohen 60 komisionerët për të 12 qarqet

05/02/2005  "Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, duke iu referuar detyrave të ligjit, ka miratuar, ose përzgjedhur të gjithë komisionerët e komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave në të 12 qarqet e vendit. Kjo procedurë ka përfunduar me sukses dhe është zhvilluar në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj. Procedura u kalua në dy faza në provimin me shkrim nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe testi bashkëbisedues me gojë me të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs. Në përzgjedhjen e komisionerëve nuk ka pasur në asnjë rast përzgjedhje të diktuar nga pikëpamjet politike", tha gjatë një konference të dhënë për shtypin kryetari i Komitetit të Pronave, Sokrat Sinaj. Sipas ligjit, çdo komision do të ketë në përbërje 5 anëtarë. Një nga detyrat e para të komisioneve do të jetë evidentimi i shkeljeve që kanë bërë komisionet e mëparshëm. Në këtë proces një kompetencë më të madhe do të ketë komiteti shtetëror, pasi ai do të ketë të drejtën të rishikojë dosjet që do të paraqesin komisionet vendore. Ky përcaktim është vënë në momentet e fundit prej Kuvendit të Shqipërisë, ku u theksua se është e drejtë rishikimi i të gjitha vendimeve të paligjshme që janë marrë gjatë viteve 1992-2004.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›