E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE pezullon punën për ndarjen e re zonale

05/02/2005  Vacek: PS dhe PD duhet të shprehin më shumë vullnet për të arritur kompromisin

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka njoftuar dje se është pezulluar për një kohë të pacaktuar puna e grupit të ekspertëve, që merret me ndarjen e zonave zgjedhore, duke rrezikuar kështu mosmiratimin e hartës elektorale brenda afateve të caktuara. Takimi i zhvilluar dje mbasdite mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së, në selinë e OSBE-së, nuk ka arritur të ndryshojë rrjedhën e punës së komisionit. Shkak për pezullimin e punës është bërë mungesa e konsensusit të dy forcave politike në vend. “Pas një pune trijavore intensive, kryetari i Grupit, John Bambrook, mundi të regjistrojë vetëm marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për rindarjen e 28 zonave zgjedhore, nga 100 që janë gjithsej. Pjesa tjetër e zonave mbetet e debatueshme, pasi partitë nuk kanë rënë dakord me propozimet e kryetarit”, thuhet në deklaratën OSBE-së. “Në mënyrë që puna për zonat të përfundojë me sukses, partitë shqiptare, të përfshira në proces, duhet të shfaqin më shumë vullnet politik dhe respekt për standardet ndërkombëtare ekzistuese, se sa kanë shfaqur deri më sot”, tha Pavël Vaçek, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Gjithsesi, Prezenca dhe Zyra e Këshillit të Evropës do të vazhdojnë të ndjekin zhvillimet dhe mbeten të gatshme t’i ofrojnë ndihmesë së mëtejshme Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve politikë në punën që mbetet për rindarjen e zonave zgjedhore, si në Grupin e Punës së Ekspertëve, ashtu edhe jashtë tij. Ndërkohë, palët respektive pjesëmarrëse në këtë proces, ia hedhin fajin njëra-tjetrës për pezullimin e punës së ndarjes zonale. Ilir Rusmali, ekspert i opozitës në grupin e punës, në një prononcim për “Metropol” u shpreh se mazhorancës gjatë gjithë kohës i mungonte vullneti politik për të miratuar hartën e re zgjedhore. Bllokimi i punës për ndarjen zonale rrezikon miratimin nga parlamenti, brenda afateve të kërkuara prej Bashkimit Evropian. Projektligji për hartën e re elektorale, sipas rekomandimeve të KE-së, duhej të kalojë brenda mesit të muajit shkurt, por në situatën aktuale vështirë se mund të ndodhë. Vetëm brenda tri ditësh puna në grupin e ekspertëve u bllokua dy herë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në këtë komision.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›