KOP-i, Lulëzim Basha në strukturat e PD
21/01/2005 Lulëzim Basha, anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave është zgjedhur në kryesinë e PD-së së nëndegës numër 37 në Tiranë. Dega numër 37 i zhvilloi punimet vetëm pak ditë më parë. Kryetar i saj u zgjodh Perikli Dhales. Sipas burimeve në PD, në kryesinë e kësaj nëndege është zgjedhur juristi Basha, i shfaqur në skenën politike shqiptare si anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave. Në fakt, Basha ka qenë ndër të paktët anëtarë të këtij forumi që i ka shfaqur haptaz ambiciet e tij politike dhe ngjitjen e shkallëve të karrierës në Partinë Demokratike. Lulëzim Basha pas thirrjes nga lideri demokrat Berisha për të marrë pjesë në KOP, ka ndërprerë kontratën e tij me UMNIK-un në Kosovë, ku ishte i punësuar. Gjithashtu, anëtari më i ri i PD-së ka qenë në grupin e prokurorëve që kanë gjykuar krimet e luftës të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç. Ndërkohë, praktika e ndjekur me Lulëzim Bashën pritet të implementohet dhe tek anëtarët e tjerë të KOP-it, të cilët kanë shfaqur dëshirën për t'u bërë anëtarë të PD-së dhe më pas pjesë e forumeve kryesuese të saj. Fillimisht ata duhet të anëtarësohen në strukturat e degëve të PD-së Tiranë dhe më pas në forumet e larta të saj. Anëtarësimi në Partinë Demokratike është një mundësi më shumë për karrierën politike të atyre që duan të ngjisin shkallët e saj.