E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat, si të bëhesh pronar

21/01/2005  Të blesh një makinë, nuk mjafton për t’u bërë pronar i saj. Pagimi i parave në firmën ku e blenë apo te pronari i mëparshëm, është vetëm gjysma e punës për t’u ndjerë me të vërtet pronar i saj. Pas marrjes në dorë të dokumentit të shitjes, një pronar makine duhet të vrapojë në disa instanca dhe të paguaj një tufë me fatura të tjera, për ta bërë makinën të qarkullueshme në rrugë. Në të kundërt, masat e marra nga policia, parashikojnë nga gjoba të lehta deri në sekuestrim të makinës, edhe pse e ke blerë brenda të gjitha rregullave. Kështu, hapi i parë pasi blenë një makinë, është të bësh regjistrimin ku makina merr targën dhe lejen e qarkullimit. Pas këtij momenti makina duhet të çohet në Drejtorinë e Kontrollit Teknik, ku bëhet kontrolli teknik i makinës, i cili është i detyrueshëm për t’u bërë dy herë në vit. Ajo çfarë i mbetet një pronari, është të jetë i pajisur me patentë dhe të paguajë dhe taksën e aksit për tonazh si dhe sigurimin vjetor të makinës. Pas këtyre formaliteteve, që pa dyshim vlejnë një grusht me para, pronari mund të qarkullojë lirshëm në rrugë, pa u shqetësuar nga policia. Kështu duket se rreth 260 mijë automjete që qarkullojnë në Shqipëri, kanë kaluar të njëjtin itinerar. Ajo që bie në sy është fakti që, edhe pas rritjes së ndjeshme të taksës doganore dhe vendosjes së taksës së importit për makinat e vjetra, që vijnë nga jashtë vendit, duket se fluksi nuk është ulur aspak. Rreth 98 për qind e makinave që janë në qarkullim janë të përdorura dhe, rreth 78 për qind e tyre janë me naftë. Në dogana vazhdojnë të hyjnë makina të përdorura me të njëjtin ritëm, si dhe në 2004-ën. "Importi i automjeteve të përdorura, nuk ka patur rënie", kanë deklaruar specialistët në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Kështu pas gjithë zhurmës për të frenuar automjetet e përdorura, duket se e vetmja mënyrë e prokurimit të një makine me vlera të leverdisshme, është t’i drejtohesh tregjeve të huaja, dhe më pas të ndjekësh të gjitha procedurat.

Regjistrimi i Mjeteve

Dokumentacioni i mjeteve të reja të blera në vend:

• Dokumenti i fitimit të pronësisë, me njërën nga format që parashikon Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.

• Dokumenti i origjinës së mjetit, i lëshuar nga prodhuesi ose e shitjes, e ngarkuar prej tij, origjinal.

• Dokumenti i çdoganimit nga autoriteti shqiptar

Dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar mjetet e përdorura, të blera jashtë shtetit

• Dokumenti i hyrjes, i lëshuar nga organet përkatëse kufitare.

• Dokumenti i fitimit të pronësisë, me njërën nga format që parashikon Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, i njëjtë me atë të paraqitur pranë autoriteteve doganore shqiptare.

• Dokumenti i origjinës së mjetit, i lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes, e ngarkuar prej tij, ose dokumenti shoqërues, prejardhës, me tregues teknikë të mjetit, në origjinal.

Dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar mjetet e përdorura, të blera në vend

• Dokumenti i fitimit të pronësisë, me njërën nga format që parashikon Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.

• Dokumenti i origjinës së mjetit, i lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes, e ngarkuar prej tij, ose dokumenti shoqërues prejardhës, me treguesit teknikë të mjetit, origjinal.

• Dokumenti i çdoganimit nga autoriteti shqiptar.

Forma e fitimit të pronësisë do të thotë:

• Kontratë të fitimit të pronësisë

• Aktin e trashëgimisë për fitimin e pronësisë

• Ligjin me anë të të cilit është fituar pronësia.

KONTROLLI TEKNIK

Kontrolli Teknik është i detyrueshëm për të gjitha mjetet që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë

Dokumentacioni që duhet të paraqitet:

• Taksën e regjistrimit

• Taksën për aks

• Leja e qarkullimit të mjetit

• Certifikatën 020 ekzistuese.

Në Kontrollin Teknik nuk lejohet të hyjnë:

• Mjetet e palara

• Mjetet me ngarkesë

• Mjetet me njerëz brenda

• Mjetet që nuk kanë paguar Taksën e Regjistrimit

• Mjetet që nuk kanë paguar Taksën mbi Aks

Kërkesa Teknike të detyrueshme:

Nuk lejohet të qarkullojë mjeti, në të cilin:

• Devijimi i mjetit është më i madh se 4m/1km.

• Thellësia e kanaleve të luleve të gomave është më e vogël se 1.6 mm

• Mungon numri i shasisë

• Numri i shasisë është i mangut

• Numri i shasisë nuk është i dukshëm

• Numri i shasisë nuk përputhet me Lejen e Qarkullimit

• Targat janë të deformuara rëndë ose jashtë përdorimit

Patenta, e vetmja rrugë

ligjore që të bën shofer

Një dokument i rëndësishëm për t’u mbajtur gjithmonë me vete kur je në timonin e makinës, është patenta. Policia vendos gjoba të rënda për të gjithë ata shoferë që nuk kanë dokumentin e patentës me vete, madje, dhe në rastet kur demonstrojnë se janë drejtues mjaft të zotë. Të marrësh patentën, duhet të kalosh provën para Komisionit në Drejtorinë e Lejes së Drejtimit në Ministrinë e Transportit. Kontrolli bëhet me shkrim dhe me gojë dhe kandidatëve u lihet një afat prej gjashtë javësh për të bërë përgatitjen praktike dhe atë teorike. Aktualisht, kursin për patentën mund ta ndjekësh me firmat që janë të liçensuara dhe organizojnë kurse për patentën. Duket se ministri Poçi, edhe pse i ka vartës specialistët që kanë pajisur me patenta rreth 450 mijë shqiptarë, sërish nuk ka ngurruar të pohojë se 95 për qind e shoferëve janë të paaftë. Këta shoferë do të kenë mundësi në mars të këtij viti të pajisen me një tjetër tip të ri patente, që do të ketë afat dhjetëvjeçar. Patenta do të ketë vlerë përdorimi si brenda edhe jashtë vendit. Ndërkaq një marrëveshje mes Ministrisë së Transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, ka bërë të mundur njehësimin e patentave të dy vendeve, duke u shkurtuar punë mjaft shoferëve që frekuentojnë të dy shtetet. Hëpërhë vetëm duke kaluar kufirin me Kosovën, shoferëve shqiptarë nuk do t’u duhet të ndërrojnë patentë.

PATENTAT

Pajisja e aplikantëve me autorizim për marrjen në prova për kategori të ndryshme të lejeve të drejtimit.

Afati, (brenda ditës)

Pajisja e aplikantëve me autorizim për marrjen në prova për shtrirje kategorie.

Afati,(brenda ditës)

Pajisja e aplikantëve me autorizim për marrjen në prova për mësues teorie dhe instruktorë në autoshkolla.

Afati, (brenda ditës)

Pajisja e qytetarëve me leje drejtimi për herë të parë.

Afati, brenda 5 ditëve nga marrja e rezultatit pozitiv nga provimi, i organizuar nga komisioni.

Pajisja e qytetarëve me leje drejtimi ndërkombëtare.

Afati, (brenda ditës)

Rinovimi i lejes së drejtimit në raste të dëmtimit.

Afati, (brenda ditës)

Pajisja me leje drejtimi të përkohshme në rast të humbjes, vjedhjes së lejes së drejtimit.

Afati, (brenda ditës)

Transferimi i dosjeve nga njëra Drejtori Rajonale në tjetrën, për shkak të ndryshimit të adresës së qytetarit.

Afati (brenda 15 ditëve)

Rinovimi i lejes së drejtimit për shkak të kalimit të afatit të vlefshmërisë.

Afati, (brenda ditës)

Njëvlefshmërinë e lejes së drejtimit të lëshuar nga një shtet i huaj anëtar i Komunitetit Evropian ose nga një shtet me të cilin është lidhur një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë, në leje drejtimi shqiptare, sipas kategorisë përkatëse të lejes së drejtimit.

Afati i shërbimit është në varësi të përgjigjes së ardhur nga Ministria e Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›