E Diel, 1 Nëntor 2026

«Vdekja» e Zotit dhe vetvrasja e antikrishtit

21/01/2005  

Niçja shpalli vdekjen e Zotit. Por, pasi çfronësoi Zotin,

antikrishti përgatiti edhe fundin e vetes së vet

Si shërbeu lufta kundër magjive dhe «fesë popullore» (Ëeber) për të goditur monoteizmin?

Përse ky proces, sado që përfaqësonte shtypjen e lirisë së ndërgjegjes, për shtresa të caktuara të popullsisë përjetohej edhe si njëlloj liberalizimi moral?

Nga 1967 në 1991

Opiumi dhe shpata

Qendrimi i pushtetit totalitar ndaj fesë zbulohet mirë nëse shqyrtohet ajo që ndodhi në Shqipëri në vitet 1966-1967. Pikërisht në këtë periudhë feja mori një goditje shumë të rëndë. Institucionet fetare mbyllen të gjitha pa përjashtim dhe klerikët e panë veten të detyruar të ndërprisnin çdo lloj veprimtarie nën rrezikun e kërcënimit me burgim ose demaskim popullor. Ata i kthehen jetës civile dhe shumë shpejt i sheh të veshur me rroba civile, me bukën të mbështjellë me gazetë nën sqetull, duke u nisur nëpër qendrat e tyre të prodhimit, qysh herët në mëngjes, pasi kanë marrë autobusin urban, mbushur plotë e përplotë me punëtorë e punëtore që shtyhen e shklyhen ngjeshur në automjet. Jo pak që s’u bindën për ta braktisur misionin e tyre përfunduan në burgje ose në internim.

Ky proces, pothuajse unikal nga shkalla e radikalizmit të tij, u shoqërua me një propagandë të fuqishme antifetare dhe me një fushatë mediatike, analiza e të cilave mund të na ndihë disi që të kuptohet disi më mirë se përse pushteti i kohës në një çast të caktuar ndërmori këtë hap shkatërrimtar për vlerat morale në shoqëri, për lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes në Shqipëri, por edhe për vetë fatin politik të tij.

Arsyeja themelore e kësaj fushate lidhej pa pikë dyshimi me një parim ideologjik të hershëm dhe të rrënjosur thellë në botëkuptimin komunist, i cili e mbante përherë të ndezur zjarrin e armiqësisë ndaj fesë, pavarësisht se në varësi të rrethanave historike, për të mos acaruar besimtarët, apo për t’i përdorur klerikët dhe ndikimin e tyre moral për forcimin e pushtetit, komunistët do ta toleronin përkohësisht besimin fetar dhe institucionet e tij.

Sidoqoftë parimi bazë mbetej i paprekur:

«Feja është opiumi i popujve» ishte shkruar në tekstet e Karl Marksit.

Përmbajtja e këtij parimi merrte një pamje krejt konkrete. Feja, duke idealizuar botën qiellore, përbuzte realitetin profan, tokësor dhe për pasojë akuzohej se largonte masat nga revolucioni dhe ndërtimi i shoqërisë socialiste. Nga kjo pikëpamje, duke ngjallur shpresa të kota për rrugët e shërimit të vuajtjeve tokësore, sipas propagandës zyrtare të kohës, feja i shërbente klasave shfrytëzuese për të shuar aspiratat popullore drejt transformimit real të botës.

Po populli atëherë përse i besonte fesë?

Përgjigjja zyrtare ishte e gatëshme: Populli i beson fesë sepse e «kanë vënë në gjumë», e kanë droguar klasat shtypëse. «Paragjykimet dhe zakonet fetare – shkruhej në shtypin e kohës – nuk e kanë burimin në ndjenjat e pastërta të popullit tonë, por në mendimet shtypëse dhe reaksionare të ish-klasave sunduese dhe të pushtuesve të huaj, të cilët kanë përdorur këtë helm shpirtëror për të realizuar sundimin, në ushtrimin dhe përçarjen e popullit». (Shih: ZP, 04. 03. 1967, Lufta kundër fesë – aspekt i luftës së klasave).

Feja shihej prej propagandës zyrtare të pushtetit të kohës edhe si pengesë për realizimin e modelit politik që pushteti kërkonte t’i impononte asokohe shoqërisë. Në këtë plan, e papranueshme do të ishin krejtësisht sidomos ndjenjat e mëshirës dhe të faljes së përgjithshme që bëjnë pjesë në kulturën fetare. Parimet e mëshirës, faljes, dashurisë universale, mosrezistencës binin drejtpërdrejt në kundërshtim me konceptet dhe praktikat e luftës së klasave që konsiderohej si motori i zhvillimit shoqëror dhe zbatohej boll ashpër në Shqipërinë e kohës.

Është tepër domethënëse se në këtë plan propaganda zyrtare nuk pushonte së kritikuari pushtetarët e vendeve të tjera të Lindjes komuniste, duke i quajtur revizionistë për çdo politikë afrimi të tyre me Vatikanin ose me klerin vendas. Kështu, gjatë vizitës të ish-kryeministrit sovjetik, Podgornij, në vitin 1967 në Vatikan, shtypi zyrtar gjen rastin të pohojë pozicionin tashmë politik të shtetit shqiptar. Në shtyp shkruhet: «Bota është e sëmurë, thotë Papa, ajo përpëlitet me një mijë probleme të pazgjidhura, po rruga do të gjendet sipas tij, jo në «kryengritjen revolucionare, që dëmton në mënyrë të rrezikshme të mirën e përbashkët (nënkuptohet: pronën kapitaliste – shën. i Red.) dhe sjell dezekuilibrime të tjera», por nëpërmjet vullnetit të mirë, urtësisë e bujarisë. Vuajtjet, durimi dhe sakrificat do ta bëjnë popullin e zotin të mblidhen në një të vetme». (Shih: ZP, 07. 04. 1967).

Por, problemi nuk qendronte fare në një rrafsh të thjeshtë lufte idesh. Po të ishte vetëm për këtë arsye, është pothuajse e sigurt që pushteti mund ta injoronte ndofta krejtësisht çështjen fetare në vend. Është provuar tashmë katërcipërisht se «gjuha» e pushtetit nuk ishte fare e qendrueshme, por ndërronte sipas nevojave empirike dhe pragmatike të kohës, pa pasur shumë skrupuj teorikë apo bindjesh.

Problemi pra nuk ishte thjesht kulturor, por politik.

Adhurimi i qenieve hyjnore doemos e dobësonte forcën adhuruese të masave ndaj individëve dhe pushteteve tokësore. Kjo nuk mund të tolerohej. Po të vazhdonte kjo gjendje, aftësia adhuruese e individit të paktën do të përgjysmohej. Një shoqëri që kërkonte që masat të mos kishin mundësisht asnjë ndjenjë kritike ndaj përfaqësuesve të pushtetit tokësor s’mund të pajtohej lehtë me faktin se mbi gjithçka populli të veneronte ikonat, Zotin, idolet mistiket etj.

Përpara Zotit, të gjithë vdektarët, qofshin këta individë të shkurtër apo të gjatë, punonjës të thjeshtë apo nëpunës të emëruar me mik, biznesmenë të firmave me një ose me shumë punonjës, kryetarë partie me ose pa elektorat, akademikë pa ose me vepra, studentë të shkëlqyer me ose pa mastera, deputetë të shkuar apo të ardhshëm, të gjithë, pra do të ishin njëlloj, të barabartë, qenie fare-fare të vockla, kalimtare, sa hap e mbyll sytë të përkohshme, të paditura përpara së amshuarës dhe që iu duhet të pranojnë grimcllëkun dhe vogëlsinë e tyre të frikëshme përballë misterit të jetës dhe të vdekjes.

Sipas moralit fetar, askush nuk është dhe s’mund të jetë i pagabueshëm dhe zotëruesi monopolist i së vërtetës, as politikanët, as teknokratët, as ekspertët, as brigadierët e rendimenteve të larta, as shoferët dhe as sharrtarët e katapultuar në funksione shtetërore.

Narcizmi politik dhe ekspertokratik është blasfemi.

Të gjithë individët tokësorë janë të detyruar të njohin kufizimet e mendjes së tyre, mëkatet që kanë bërë dhe të pendohen për to ose të luten për t’i shpëtuar gjyqit hyjnor.

Ndërsa vetëlavdërimet parajonake përbëjnë një ves moral, psikologji të sëmurë dhe shenja të një paditurie uluritëse.

Gjithë ky moral kuptohet që i kundërvihej shumë thikazi idesë së propagandës zyrtare se udhëheqja politike dhe teknokratët e saj ishin të pagabueshëm, mund të parashikonin deri në hollësira të ardhmen dhe as nuk mund të bëhej fjalë që sunduesit të pranonin se nuk kishin në dorë veçse një pushtet krejt profan, që do të shkërmoqesh si grimcë rëre përpara së amshuarës sikurse çdo gjë tjetër në botë.

Pushteti i kohës kërkonte të ngrinte dhe përforconte një strukturë shoqërore, ku të mos kishte ndarje dhe dallime të tjera bazë veç atyre me natyrë klasore dhe profesionale. Në këtë plan, strategjikisht, mendohej se ndarja fetare mund të zëvendësonte ndarjen klasore, duke dobësuar logjikën e pushtetit mbi shoqërinë. Aq më tepër, sikurse thuhet në shtypin zyrtar të kohës, ajo akuzohej se mund të bëhej fara e përçarjes së unitetit kombëtar. Fakti që në të kaluarën forca të ndryshme të huaja shoviniste apo të brendshme kishin dashur t’i klasifikonin myslimanët shqiptarë si turq, katolikët si romanë dhe ortodoksët si grekë, pra ta shpërbënin kombin nëpërmjet elementit fetar – e bënte më të lehtë detyrën e gjuhës antifetare të pushtetit të kohës.

Nisur nga një rrezik eventual krejt real: përdorimi në të kaluarën i dasive fetare për qëllime politike antikombëtare, duke i ndarë shqiptarët e mbjellë farën e përçarjes (çka nuk është produkt i fesë në vetvete, por i përdorimit të saj për qëllime politike të mbrapshta), pushteti komunist justifikonte politikën e tij antifetare, duke e eliminuar institucionalisht fenë.

Sigurisht që e gjithë propaganda që shënonte me gisht fenë si faktor i natyrshëm përçarjeje ishte një demagogji për arsyen sepse shqiptarët prej shekujsh kishin arritur të mbijetonin, duke realizuar megjithatë një bashkekzistencë shembullore fetare dhe duke vënë përkatësinë e tyre kombëtare përmbi, shumë e shumë përmbi, origjinave dhe besimeve të tyre fetare. Aq më tepër që patriotët e mëdhenj shqiptarë nuk kishin qenë asfare ateistë, por të edukuar me parime fetare, të krishtera ose islame, sidoqoftë gjithmonë të lidhur me vlerat e dashurisë për atdheun dhe kombin. Problemi në të kaluarën nuk kishte qenë te besimi fetar në vetvete, por te politikat manipuluese dhe përçarëse të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm shovinistë dhe antishqiptarë.

Magjitë e feve popullore dhe besimi monoteist

Sidoqoftë, duhet thënë se mjaft besime fetare popullore të prapambetura dhe zakone patriarkale në Shqipërinë e kohës ishin krejt të kapërcyera nga koha dhe të lidhura me rite tepër arkaike dhe mbeteshin pothuajse të pakuptimtë për shtresat e gjera të popullsisë.

Ishin në shumicë me origjina pagane, animiste ose edhe politeiste.

Pjesa dërmuese e këtyre praktikave rituale vinte në kundërshtim me zhvillimet e mjekësisë moderne dhe me arritjet e shkencave natyrore. Në fakt, një pjesë e këtyre praktikave dhe e ritualit përkatës ishin të lidhura me psikologjinë e pranimit të magjive dhe të mrekullive që supozoheshin se ishin pjesë e karizmës dhe e cilësive të mbinatyrshme të personave të veçantë. Duket qartë se kishim të bënim me dukuri animisto-magjistare, ose me një lloj politeizmi të vjetër tradicional.

Por, këtu lindte një problem serioz.

Në vetvete fetë monoteiste, që kishin përqafuar shqiptarët në shekujt e kaluar, ishin ndarë qysh herët në botëkuptim nga ky lloj animizmi ose universi magjish, duke mos e pranuar pushtetin mbinatyror të asnjë vdektari mbi tokë. Institucionet fetare në botë dhe interpretimet e teksteve të shenjta e kishin shpjeguar tashmë se një fe autentike monoteiste ishte e papajtueshme me to dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranonte që besimi fetar të zëvendësonte shkencën, shpjegimin racionalist të universit, apo të mënjanonte kontributin e mjekësisë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme.

Sidomos feja e kohës s’kishte të bënte fare me magjitë dhe magjistarët që qysh në kohën e inkuzicionit kishin provuar zjarrin e turrës së druve.

Mirëpo, besimtarë të ndryshëm, sidomos në zonat rurale të vendit, vazhdonin ta kishin gjetur të logjikshme që në vend të evoluonin me kohën, të përqafonin me konsekuencë mësimet autentike të feve të tyre dhe të modernizonin kuptimet mbi shoqërinë dhe progresin teknik dhe material të botës së atëhershme, e kishin gjetur, pra më të lehtë, të pajtoheshin me disa nga këto bestytni, paragjykime dhe rite arkaike pa asnjë bazë as shkencore dhe as fetare monoteiste.

Ndofta kjo vinte edhe nga përgatitja jo e plotë liturgjike e një pjese të klerit popullor dhe të ulët, i cili kishte filluar të ndjente vështirësi në formimin dhe përgatitjen teologjike të tij për shkak të kushteve shoqërore dhe politike, në të cilat e kishte vendosur regjimi.

Ndofta, kjo vinte edhe për shkak se duke dashur të tërhiqte sa më shumë njerëz rreth institucioneve të kultit, një pjesë e klerikëve të bazës pranonte të mos i kundërvihej hapur çdo lloj bestytnie apo mentaliteti magjish te njerëzit, mjaft që ai të dukej se shkonte në favor të rritjes së ndikimit të fesë në shoqëri.

Në një farë mënyre, një pjesë e besimtarëve bënte kështu një kompromis fatkeq me një mentalitet popullor të prapambetur zakonor.

Po këtu duket se ka edhe një kompromis të dytë, që bëhet këtë radhë me një mentalitet patriarkal, i cili mbisundonte kryesisht në zonat rurale të vendit. Autoriteti prindëror, sidomos i babait, autoriteti i klanit si strukturë kolektive, autoriteti i brezit të moshuar mbi atë më të ri, autoriteti i mashkullit mbi femrën në shumë zona të vendit, ishte bërë një faktor që nuk i përshtatej më as kohës, as mentaliteteve të të rinjve, as dhe marrëdhënie të reja që kishte krijuar procesi i industrializimit dhe kolektivizimit.

Disa praktika të moralit dhe ceremonive familjare, me natyrë tërësisht të papranueshme patriarkale, të veshura edhe me vello fetare, e kishin mbushur dhe derdhur prej kohe «kupën».

Martesa që në djep, ndalimi i marrëdhënieve të lira dashurore midis të rinjve, mbajtja e vajzës në një situatë inferiore ndaj djalit të shtëpisë, praktikat e synetllëkut të detyruar, ndalimi i aborteve dhe ndëshkimi fizik nga familja i femrave që abortonin, injorimi i së drejtës së divorcit për femrën, mbyllja e vajzave brenda katër mureve të shtëpisë etj., nuk mund të mos rëndonin pozitën e brezit të ri dhe të femrës në shoqëri dhe familje.

Fatkeqësisht, mjaft besime fetare jo vetëm që nuk ishin në radhë të parë të kundërshtimit të këtyre dukurive negative, por kishin bërë edhe «aleancë» të tërthortë me etërit kundër bijve, me mashkullin kundër femrës, me familjen patriarkale kundër individit, me vjehrrën kundër nuses, me zakonet konservatore kundër jetës së hapur, me magjinë kundër shkencës, me nuskat kundër mjekësisë, kishin pranuar kompromisin fatal dhe absurd, të pafalshëm, me forcat e prapambetura të kohës, çka sillte një lloj komprometimi të padëshirueshëm të fesë me moralin patriarkal.

Nuk jemi pra aspak në rastin polak, kur institucionet fetare qysh nga vitet ’70 nisin të përkrahin lëvizjen disidente dhe të kërkojnë bashkë me lëvizjen sindikaliste të kohës reforma të modernizimit të ekonomisë, të shoqërisë dhe të shtetit, duke e lënë këtë të fundit në një gjendje konservatorizmi të prapambetur në sytë e shoqërisë.

Mbetja pas e një pjese të ritualit fetar dhe zakonor popullor e lehtësoi disi ardhjen e së keqes: politikën totalitare të pushtetit për të zbatuar ateizmin radikal kundër fesë.

Kjo ka ndodhur gjithandej.

Ngadalësimi i reformimit fetar ka çuar gjithandej në një përplasje midis shoqërisë dhe fesë.

Shtypi totalitar përfiton cinikisht prej këtej dhe në fakt nuk rresht së diskredituari ato besime mistike të përhapura në popull që mbështeteshin, ose në mashtrime sharlatanësh, ose në paragjykime të vajtueshme dhe dëmsjellëse për individin dhe shoqërinë. Ja se si shkruhet në një artikull të kohës: «Komisioni i studimit të zakoneve e paragjykimeve fetare kishte vënë re se qytetari M. Sadiku, me profesion bukëpjekës, shkruante nuska me lapës kopjativ, gjoja për të shëruar shytat. Si mund të pajtohej ai me veprimet e një mashtruesi e sharlatani të tillë? Atëherë, pa u lëkundur, vajtën dhe i varën atij pranë derës së furrës këtë fletë-rrufe me gërma të mëdha: «Ne kërkojmë nga ju të mos mashtroni më njerëzit». Ky veprim revolucionar detyroi M. Sadikun të hiqte dorë nga ajo punë e ndyrë. Në një letër që iu dërgoi të rinjve, ai thotë: «Unë bashkohem me thirrjen e rinisë për të mos shkruar për shytat, sepse këtë e kam bërë kot më kot, për të fituar para». (Shih : ZP, 08. 02. 1967).

Propaganda zyrtare bashkonte pra kështu dy gjëra që nuk qëndronin aspak bashkë.

Tjetër është besimi fetar monoteist dhe krejt tjetër paragjykimet magjistaro-mistike të besimeve popullore.

Historia nuk pushon së prodhuari paradokse nga më të çuditshmet.

Ndalimi i fesë në të gjitha aspektet e veprimtarisë së saj përbënte një nga aktet më antidemokratike të pushtetit antikrisht të kohës. Jo vetëm u cënua liria e ndërgjegjes individuale, por edhe u privua shoqëria nga një prej armëve më efikase të saj për t’i rezistuar pushtetit abuziv.

Ndërkohë, për shkak të rrethanave të çuditshme që historia nuk mungon të krijojë, ky akt dhunimi i lirisë individuale do të përjetohej edhe si një farë çlirimi zakonor nga ana e disa shtresave të popullsisë, sidomos prej të rinjve dhe grave.

Nuk thonë kot se diktaturat instalohen në atmosferë feste, kur mendja e njerëzve është mpirë nga avujt e një fitoreje apo çlirimi të përkohshëm.

Nuk thotë kot Hannah Arendt se asnjë nga pushtetet diktatoriale të shekullit të shkuar nuk do të mund të vendosej dhe të qendronte më këmbë pa mbështetjen e përkohshme të pjesëve të gjera të popullsisë.

Tjetër punë se më vonë popullsia do ta paguante qime për qime haraçin e kësaj mbështetjeje.

Sikurse shihet, ndalimi i fesë dhe shtypja e lirisë së ndërgjegjes kryhen brenda një atmosfere sado tepër të ngushtë liberalizimi moral.

Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet se përse përreth projektit antifetar grumbullohen dhe mobilizohen masa njerëzish, shumica të rinj dhe të reja.

Indoktrinimi dhe manipulimi i tyre ideologjik nga propaganda zyrtare ishte vetëm njeri nga shkaqet e kësaj dukurie.

Sot në shkencat e komunikimit askush nuk e vë në dyshim se i manipuluari manipulohet sepse për një çast ka dëshirë dhe interes të pranojë manipulimin e manipuluesit.

Përkundrazi, manipulimi nuk ngjit kollaj.

Fakti që të rinjtë ndjenin edhe një farë çlirimi nga disa zakone të prapambetura, sidomos në fshat, e sidomos nga ato që mbysnin dhe ndrydhnin moshat e reja, ishte një rrethanë me ndikim të fuqishëm, që mund të shpjegojë se përse turma të tëra njerëzish, në këtë kohë, me entuziazmin e një ndjenje çlirimi, farkëtojnë zinxhirët për lirinë e tyre të ndërgjegjes, vrasin lirinë tyre të shprehjes.

Qindra e mijëra të rinj shkatërrojnë nga themelet kisha dhe xhami. Të tjera, me plotë vepra të pazëvendësueshme arti brenda tyre, shndërrohen në pallate sporti, ku tifozët e çartur brohorasin ekipet e volejbollit dhe të basketbollit të femrave apo të meshkujve pa e çarë fare kryet se ku janë ulur dhe ku janë duke bërtitur e bërë «ça–ça–ça». Objekte të tjera kulti, me më pak fat, kthehen vetëtimthi në magazina, restorante, kafene a thjesht në pijetore. Nëpër shtëpi thyhen, fshihen, blasfemohen ikona. Të moshuarit ndruhen të bëjnë qoftë edhe një lutje të vetme në sytë e të tjerëve. Klerikë të ndryshëm që tentojnë ta ushtrojnë fshehurazi profesionin e tyre të dikurshëm, sidomos priftërinjtë katolikë, kërcënohen, tallen, ndëshkohen, disa syresh edhe me vite të gjata burgimi dhe dënime të tjera të ashpra.

Libra të shenjtë, Bibla, Kurani, digjen, fshihen, grisen.

Kishte mbërritur Antikrishti.

Mëkatin ndaj Zotit e paguajnë edhe politikanët

Kishte ardhur Antikrishti.

Por historia nuk i kursen kurthet jo vetëm për njerëzit e thjeshtë të rrugës, por edhe për të fuqishmit e veshur me pushtet.

Nisur nga analiza që i është bërë gjendjes së shoqërisë botërore të kësaj periudhe nga shkenca ndërkombëtare, mund të hidhet një dritë tjetër edhe mbi atë çka ndodhi në marrëdhëniet midis fesë, pushtetit dhe shoqërisë në vendin tonë.

Në fakt, goditja e autoritetit të hyjnores po bëhej brenda një procesi të përgjithshëm botëror goditjeje të të gjitha autoriteteve vertikale, duke përfshirë edhe ato shoqërore: të shtetit mbi qytetarët, të familjes mbi anëtarët e saj, të prindërve mbi fëmijët, të mashkullit mbi femrën, të mësuesve mbi nxënësit, të universiteteve mbi studentët etj.

Nuk do të kalonin veçse një ose dy vjet nga data e ngjarjeve që po flasim në Shqipëri dhe i gjithë Perëndimi do të tronditej nga lëvizjet masive të studentëve që në fund të fundit kishin një objektiv dhe një frymëzim: goditjen e autoritetit në të gjitha këto fusha, sidomos atje ku ai kishte filluar të bëhej i tepërt në një shoqëri që po liberalizohej nga dita në ditë.

Në fakt po merrnin fund të gjitha autoritetet patriarkale, që kishin ekzistuar në shkollë, familje, politikë, moral, fe, shtet dhe që kishin mbizotëruar shoqërinë e Lindjes dhe të Perëndimit prej shekujsh deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Shoqëria e re postindustriale i kishte shpërbërë të gjitha lidhjet e vjetra shoqërore, i kishte liberalizuar ato, dhe nuk mund të pajtohej më me pushtete vertikale tepër autoritarë. Ndërsa në Perëndim lëvizja po merrte edhe pamje politike, në Lindje, veçanërisht në Shqipërinë diktatoriale të kohës, përmasa politike e çlirimit nga autoritetet politike veritikale nuk mund të realizohej.

Shpesh, njerëz krejt amatorë ose pa arsim të mjaftueshëm, vetëkënaqen në analizën e tyre kur pohojnë se lufta kundër fesë në Shqipëri ishte e ndikuar nga revolucioni kulturor kinez.

Pa marrë përsipër të analizojmë këtu atë që ndodhi në Kinën e largët, duhet të bëjmë me dijeni lexuesit se sot në Perëndim askush nuk e vë në dyshim se edhe revoltat e mëdha studentore të viti 1968, atje ishin të ndikuara dhe imitonin në kushte konkrete idetë dhe praktikat e revolucionit kulturor kinez.

Revolucioni kinez i interpretuar në mënyra të ndryshme ishte kudo themeli i disidencave dhe moda e revoltave të botës së atëhershme kudo në Perëndim.

Por, nisur prek këtej, askush nuk mohon ndikimin liberalizues të këtyre revoltave me frymëzim maoist mbi shoqërinë e kohës në Lindje dhe në Perëndim.

Ashtu sikurse fillimi i mbarimit të Luftës së Ftohtë thuhet se gjendet në këto revolta studentore me frymëzim maoist që thyen çdo pushtet autoritar të kaluar nga koha në Perëndimin e këtej dhe andej Atlantikut, fillimi i mbarimit të pushtetit autoritar dhe totalitar në Shqipëri do të daton paradoksalisht pikërisht në çastin kur vetë pushteti shtyn masat e popullsisë së revoltuar drejt shëmbjes së kulteve patriarkale të kohës të veshura me ngjyresa besimesh paramonoteiste.

Goditje radikale që morën kultet patriarkale të mbuluara me këtë vello besimesh, pas tre dekadash, do ta pësonte vetë pushteti politik, sepse tashmë ai i kishte mësuar masat të revoltoheshin ndaj autoriteteve sipërore jopolitike.

Nuk thotë kot morali popullor se ngritja e dorës ndaj Zotit është një mëkat që paguhet shtrenjtë.

Edhe politika një ditë i lan mëkatet e veta.

Duke shkatërruar pushtetin e qiellit mbi Tokën, duke shpërbërë familjen patriarkale dhe hierarkinë tradicionale psikologjike të popullit, duke rrënuar pushtetin prindëror mbi fëmijët, duke ia hequr çdo autoritet burrit përpara gruas, pushteti totalitar nis të shkërmoqë fatmirësisht edhe veten.

Totalitarizmi ishte kapur në kurthin e vetvetes.

Duke dashur të përforconte autoritarizmin e vet politik të shfrenuar, kishte dashur ta bënte këtë duke shpartalluar çdo autoritet tjetër shoqëror, familjar dhe shpirtëror. Ai shkatërron çdo pushtet vertikal në familje, në shpirt dhe në moral për të mbetur i vetmi pushtet mbi tokë dhe nën qiell.

Pas kësaj pushteti i tij vertikal në politikë do të mbesë pa asnjë legjitimitet dhe mbi të gjitha pa asnjë mbështetje psikologjike.

Burimi shoqëror i politikës totalitare ishte shterrur dhe tharë nga vetë pushteti totalitar.

Politika në fakt vret veten sa herë që harron Njutonin.

Antikrishti kishte sharruar degën mbi të cilën ishte ulur.

Kishte harruar se s’mund të qendronte në ajër.

Prona private në fshat dhe në qytet nis të mos ekzistojë më. Autoriteti prindëror sidomos i babait në familje nis të mbetet pezull, në ajër dhe pothuajse pa asnjë mbështetje ekonomike apo shoqërore. Të rinjtë me zell dhe hov të pashoq s’iu dhimbte dora të shkatërronin institucionet fetare. Autoriteti fetar shihej tashmë si një monument që mund të rrëzohej.

Në fakt dobësohej çdo lloj autoriteti që humbiste kështu forcën e vet të paprekshmërisë.

«Shakaja» e bërë kishte hapur rrugën për rrëzimin e çdo idoli tjetër në Shqipëri.

Që këtej e tutje të rinjtë nuk do të hezitojnë të godisnin dhe tërheqin me litar çdo lloj kulti politik laik.

Pa iu dridhur dora.

Megjithatë, brezi i të rinjve të viteve 1966-1967 ende nuk ishte aq shumë avanguardist.

Ai tregohet disi i përmbajtshëm për t’u ngritur kundër të gjithë formave të pushtetit autoritar.

Sidoqoftë në mendjen e tij ishte thyer pushteti simbolik.

Edhe një hap do të duhej që energjia të drejtohej kundër vetë pushtetit totalitar tokësor.

Këtë s’e bëjnë dot të rinjtë e asaj kohe, sepse është akoma herët.

Por, megjithatë, fëmijët e prishësve të kishave dhe xhamive nisin të rriten me një autoritet moral dhe psikologjik familjar të bjerrë. Ata rriten në një mjedis moral familjar me autoritet krejt të cënuar, ose me autoritet të lëkundur. Prindërit nuk kanë se ku ta mbështesin forcën e tyre të kontrollit dhe të hierarkisë familjare.

Barriera e parë e pushtetit kundër rinisë kishte rënë.

Pushteti s’nxirrte dot më kundër saj arradhet e tmerrshme prindërore.

Në barrikada nuk kishte se cilët të nxirrte më veç disa policëve apo ushtarëve të Gardës të ardhur nga fshati dhe që më shumë ishin me ata që protestonin sesa me ata që i urdhëronin.

Psikologjia e pushtetit autoritar kishte mbaruar prej kohësh.

Kulla qendrore e kalasë kishte rënë.

Pritej të binin muret anësore.

Psikologjia morale dhe zakonore e liberalizuar e të rinjve dhe mënyra autoritare e organizimit politik të shoqërisë tanimë bien në antagonizëm të plotë me njëra-tjetrën.

Nuk është e rastit që janë pikërisht këta fëmijë të lindur në fund të viteve ’60, të rinjtë e fundit të viteve ’80 pra, që përqafojnë shpejt idetë liberale, liberalizojnë jetën e tyre intime, zakonore dhe morale dhe, sapo iu jepet rasti, nuk hezitojnë asnjë grimë për të përqafuar lëvizjen antitotalitare të dhjetorit 1990.

Nga 1967 deri më 1991 s’kishte kaluar veçse një «çast»: koha e një brezi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›