E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Opozita të dalë me një program

21/01/2005  Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, tha dje se opozita duhet të dalë e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, është nevojë e kohës që të bëhet një grupim i të gjitha partive opozitare për rrëzimin e mazhorancës aktuale. "Ne, si PDR, jemi të mendimit se opozita duhet të dalë e bashkuar në zgjedhjet e këtij viti. Opozita duhet të lerë mënjanë mëritë dhe inatet dhe të grupohet në një front me qëllim rrëzimin e mazhorancës aktuale", tha Ndoka. Nga ana tjetër, Ndoka shtoi se rotacioni i pushtetit është qëllim më madhor se marrja e disa mandateve nga ana e PDR-së. "Kostoja politike e PDR-së do të ishte më e ulët në rast se kjo e fundit do të dilte e vetme në zgjedhje. Por qëllimi ynë është fitimi i zgjedhjeve nga opozita dhe jo marrja e disa mandateve më shumë në parlament", tha Ndoka. Ideja, për një koalicion të mundshëm mes PD-së dhe PDR-së në zgjedhjet e ardshme, u hodh disa ditë më parë, kur vetë Ndoka deklaroi se ka pasur bisedime me disa nga drejtuesit e PD-së për një koalicion mes dy partive. Ndoka deklaroi se pritet dhe një takim mes kryetarëve të partive, Pollo dhe Berisha, pas kthimit të liderit demokrat nga Mëngjesi i Lutjeve amerikane, që do zhvillohen më datë 3 shkurt në Uashington. Mundësinë e një bashkëpunimi nuk e hodhi poshtë as lideri demokrat Berisha, kur tha se PD do të bashkëpunojë me çdo parti opozitare për fitimin e zgjedhjeve të këtij viti, duke pohuar se takimet në nivel parlamentar mes drejtuesve të PD-së kanë ekzistuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›