E Hënë, 2 Nëntor 2026

KPD-ja miraton listën e kandidatëve

03/05/2005  Ilir Zela mbetet sërisht jashtë listës së konkurrentëve për zgjedhjet elektorale

Emrat e përfolur do të rishqyrtohen nga degët dhe më pas do të merret vendimi

Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste ka miratuar në parim listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 3 korrikut, duke lënë jashtë saj 16 deputetë aktualë. Mbledhja e KPD-së ka miratuar platformën elektorale të partisë, e cila do të marrë ratifikimin nga delegatët në kongresin e 5 majit. KPD-ja ka miratuar në parim dhe platformën për ndryshim të propozuar nga anëtari i këtij forumi, Edi Rama. Ndërsa janë eliminuar debatet e ashpra, që e kanë karakterizuar PS-në në vitet e fundit. Forumi i ka kushtuar vëmendje të veçantë punës, që duhet të ndjekin kryesitë e partisë në degë, duke i caktuar detyrat elektorale, për të arritur rezultate në zgjedhjet e 3 korrikut.

Kandidatët

Debatet për listën e kandidatëve për deputet kanë qenë dhe kryefjala e mbledhjes së KPD-së. Deputetët aktualë, të cilët janë përjashtuar nga lista e kandidimit mësohet se kanë kërkuar që të rikandidojnë sërisht në zonat e tyre elektorale, për arsyen e vetme se gëzojnë mbështetje nga baza. Këto pretendime janë shuar nga kryetari i PS-së, Fatos Nano, i cili ka theksuar se të gjitha kandidaturat e përzgjedhura gëzojnë atributet politike, profesionale, morale dhe që kanë dhënë kontribute të çmuara për partinë. Deputeti aktual, Ilir Zela ka kërkuar që të rikandidojë në zonën e tij në Prrenjas, kërkesë të cilën KPD-ja e ka hedhur në votë, duke e rrëzuar. Zela mësohet të ketë kundërshtuar zonën, që i është caktuar në Kukës, duke ngelur kështu jashtë listës së kandidatëve pavarësisht se gëzonte mbështetje nga baza. Nga lista e kandidimit është përjashtuar dhe Agron Çela. Kryetarët e degëve të PS-së së Gramshit, kanë kontestuar emrin e Elmaz Sherfit, i cili do të jetë kandidat për këtë zonë. Gjithashtu kontestime ka patur dhe për Maqo Lakrorin, i cili do të kandidojë në zonën e Pogradecit, ku mesa duket nuk gëzon mbështetjen e strukturave të bazës në këtë rreth. Gjithësesi, lista e kandidatëve për deputetë nuk është mbyllur ende, pasi të 100 emrat janë të përfshirë në një proces verifikimi. Burimet thanë se kandidaturat e Shkodrës, Paulin Sterka, Pal Lera dhe Tom Doshi ende nuk janë konfirmuar tërësisht, pasi për ta do të zhvillohet dhe një tjetër takim me bazën.

Platforma

Platforma elektorale e PS-së është bazuar në katër kolona kryesore, në një kohë që në të janë të përfshira dhe elemente të rinj. Në kolonën e parë, PS-ja synon të njohë elektoratin me situatën, kur kjo parti erdhi në pushtet, duke marrë si pikë reference vitin 1997. Në kolonën e dytë do të jepet një tabllo e qartë e të gjitha përgjegjësive, që mbart PS-ja gjatë këtyre tetë vjet qeverisjeje, duke dhënë para elektoratit llogari për realizimet dhe mosrealizimet që janë premtuar. Në kolonën e tretë do të jetë i sintetizuar i gjithë vizioni politik i Partisë Socialiste për të ardhmen, duke përfshirë të gjitha detyrat që shtron procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ndërsa në kolonën e katërt do të jenë të pasqyruara të gjitha angazhimet konkrete, që PS-ja synon të realizoj në rast të fitores së zgjedhjeve të përgjithshme të kësaj vere.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›