E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS pranon fraksionet e mendimit ndryshe

03/05/2005  Edi Rama mbron në KPD propozimet e LSI

Partia Socialiste, pas 7 vjet diskutimesh, ka pranuar të legalizojë fraksionet politike brenda saj, kërkesë e refuzuar së fundi në kongresin e dhjetorit 2003. Pas disa tentativash me radhë të disa grupimeve, që kanë sjellë dhe ndarjen e parë të socialistëve, është Edi Rama që paraqet një platformë me 8 pika për reformimin e selisë rozë. Në platformë është ripërsëritur kërkesa e deputetëve aktualë të LSI-së, të cilët dy vjet më parë kanë kërkuar të pranoheshin fraksionet, të cilët marrin mbi 20 për qind të votës së elektoratit dhe që përfaqësojnë mendimin ndryshe nga elektorati. Në atë kohë, Nano ka replikuar ashpër me Ilir Metën, që solli dhe rrezikimin e qeverisë. Madje dhe iniciativat e katarsistëve, rreth 4 vjet më parë kanë, pasur të njëjtin kontekst, por që nuk morën formën e një propozimi për legalizim fraksionesh në parti.

Rama

Pas disa muaj mungesash në mbledhjet e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, Edi Rama ka paraqitur dje në këtë forum një paketë propozimesh për ndryshimin e statutit, të cilat kanë marrë unanimisht votat e forumit. Vetë ish-konkurrenti përballë Nanos në postin e kryetarit të partisë e ka cilësuar të vonuar hapin që ka bërë njëri prej forumeve kryesore të partisë në pranimin e paketës së ndryshimeve. “Janë propozimet që besoj se nuk kanë asnjë gjë që është jashtë prirjes së natyrshme të PS-së për të qenë gjithmonë një hap para të tjerëve dhe njëkohësisht jam i bindur se po ta kishim votuar dy vjet më përpara, sot do të ishim dy vjet para”, tha Edi Rama. Në këtë mënyrë dhe vetë kryebashkiaku, që jo pak herë ka shkëmbyer replika me Fatos Nanon, ka pranuar se paketa e ndryshimeve është e përafërt me atë që paraqitën deputetët e LSI-së në kongresin e shkuar. Si pasojë e refuzimit të këtyre kërkesave, 9 deputetë kanë braktisur PS-në, duke themeluar LSI-në. Madje, as vetë Rama që prej kongresit të dhjetorit 2003, ku u zgjodh anëtar në KPD, nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e këtij forumi. Në këtë mënyrë ka vepruar dhe ish-presidenti Rexhep Meidani, i cili dhe dje nuk ka qenë në KPD.

Deklarata

Paketa e ndryshimeve statutore, e cila sipas Ramës synon reformimin dhe modernizimin e Partisë Socialiste, është pranuar nga kryetari Nano, si një paketë e cila është shqyrtuar dhe në Kongresin e Tretë të vitit 1999. Tashmë, Nano dhe Rama duket se i kanë harruar replikat e para tri viteve, ku kreu i Bashkisë e ka etiketuar Nanon me personazhin e një filmi shqiptar Robert Çamçakëzin, ndërsa Nano për Ramën ka theksuar se e ka marrë nga Franca me thonj ende të palarë, madje duke e cilësuar dhe si shitës të thjeshtë ambulant. Në lidhje me propozimet e Ramës, Nano theksoi se “kjo është një paketë cilësisht e re, e cila për fat të mirë ka arritur të përmbledhë në mënyrë funksionale në tetë elementë, propozime të herëpashershme, iniciativa për reformim dhe ndryshim të PS të hedhura në ’96, ’99, ’03 e në vazhdim”. Nano shprehet se paketa në thelb të saj është proporcionale. Për të, duke institucionalizuar mendimin ndryshe, ajo sjell konkurrimin dhe formësimin mbi bazën e votës proporcionale të forumeve të partisë dhe të homologëve, me të cilët partia komunikon në shoqëri. Nano thekson se me ndryshimet e paraqitura, "ata që kontribuojnë dhe që i lënë stafetën njëri-tjetrit nuk flaken nga PS. Përkundrazi, ftohen të jenë anëtarët permanentë të një forumi politik, i cili konsulton të gjitha zgjidhjet e mëdha dhe iniciativat politike të partisë në raport me shoqërinë dhe me kombin”.

Paketa Edi Rama

1- Institucionalizimi i mendimit ndryshe në PS-së në formën e platformave integruese të votuara

2- Platforma integruese e votuar konsiderohet vetëm ajo që merr jo më pak se 20 për qind të votave të anëtarësisë

3- Mbi bazën e përqindjes në çdo platformë integruese të votuar që kalon kufirin e 20 përqindëshit të votave të ndërtohen proporcionalisht forumet drejtuese të PS-së

4- Kongresi miraton platformën përfundimtare si një sintezë e platformës fituese me platformat e tjera të votuara

5- Kryetari i PS-së zgjidhet drejtpërsëdrejti nga anëtarësia, mbi bazë të parimit "një anëtar, një votë"

6- Kandidatët për kryetar të PS-së zgjidhen duke i paraqitur përfaqësisë së Kongresit 300 firma anëtarësh, që militojnë në parti prej më shumë se një legjislature

7- Një e treta e forumeve drejtuese të PS-së të përbëhet nga gratë

8- Krijimi i forumit politik i PS-së si një organ konsultativ i qeverisë, grupit parlamentar, KPD-së dhe Kryesisë së PS-së

Fatos Nano

I konsideroj miqësore me vizionet tona politike propozimet e Edit, komplementare me hapat që kemi hedhur në zhvillimin e demokracisë të brendshme, të domosdoshme për të ruajtur lidershipin, me të cilin duke ndryshuar veten jemi protagonistë të transformimit të shoqërisë shqiptare drejt standardeve të Evropës.

Petro Koçi

Edi Rama duhet të kishte ardhur me herët në mbledhjet e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Paketa e paraqitur nga zoti Rama është ajo paketë që u kërkua të votohet me referendum në vitin 2001 dhe u hodh poshtë, duke u cilësuar si veprime kundërshtuese.

Ilir Zela

Paketa e propozimeve të sjella nga anëtari i KPD-së, Edi Rama dhe miratimi në parim prej këtij forumi është diçka madhështore për partinë. Përmes kësaj pakete është bërë një ndryshim i natyrshëm i partisë sonë, i cili ka filluar të zhvillohet intensivisht gjatë 10 viteve të fundit.

Arben Ahmetaj

Paketa e ndryshimeve që u paraqitën nga Edi Rama është e kundërta rrënjësore në modelet që ka bërë Partia Demokratike, e cila ka votuar të njëjtin kryetar për 15 vjet rresht. Me këtë paketë, PS-ja mbetet koherente, siç po shfaqemi edhe në arsyetimin e këtij hapi të rëndësishëm politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›