E Hënë, 2 Nëntor 2026

Është i çuditshëm momenti i propozimit

03/05/2005  Hamdi Jupe: Sqaron për "Metropol" votën kundër

Anëtari i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, Hamdi Jupe, ka qenë i vetmi zë, brenda forumit, që ka kundështuar paketën për ndryshimet statutore për PS-në. “Krijimi i një këshilli politik mbi forumet e partisë dhe një pikë tjetër, e cila nuk u tha shprehimisht, por është legalizimi i fraksioneve, janë çështje tepër të debatueshme. Deri më sot, asnjë parti shqiptare nuk i ka pranuar fraksionet dhe nëse do të pranohet apo jo kjo është një çështje që duhet të diskutohet pak më gjatë sesa katër ditë deri në kongres”, tha Jupe, mbi propozimet e dhëna nga Edi Rama. Gjithashtu, duke e cilësuar tepër të nxituar veprimin e forumeve të PS-së në miratimin e paketës së ndryshimeve, pasi nuk i është afruar koha e mjaftueshme për t'u asimiluar nga delegatët e kongresit, Jupe tha se “pretendohet që janë diskutuar prej më shumë se 10 vjetësh nëpër forumet e partisë, por fakti që brenda këtyre viteve nuk janë pranuar dhe tani pranohet për tri ditë është dhe kjo një çështje tepër e diskutueshme për të mos thënë më shumë e çuditshme”. Gjithsesi, anëtari i KPD-së shprehet se për të gjithë këto ndryshime, të cilat u miratuan parimisht nga KPD-ja, do të japë një përgjigje të “hidhur” pas zhvillimit të zgjedhjeve, duke sqaruar dhe arsyen pse u pranuan në këto momente. Jupe ka qenë vota e vetme në KPD që ka kundërshtuar paketën e propozimeve të sjella nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili tashmë është në kupolën e drejtimit të veprimeve elektorale që po ndërmerr Partia Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›