Meidani nuk merr pjesë në mbledhjen e KPD-së
03/05/2005 Ish-presidenti i republikës, njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues në PS, Rexhep Meidani, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e djeshme të këtij forumi. Ndryshe nga herët e tjera, mungesa e Meidanit nuk ka rënë shumë në sy sepse në mbledhje është vënë re prania e Edi Ramës, i cili nuk kishte marrë pjesë asnjëherë më parë në ndonjë mbledhje të këtij forumi. Edhe pse mungesa të tilla nuk janë justifikuar asnjëherë në organet përkatëse të partisë, këto të fundit shprehen se PS-ja është një parti që nuk mund të përjashtojnë asnjë anëtar të saj, ndonëse, ata nuk marrin pjesë në veprimtaritë e forumeve. Në këtë mënyrë i lihet në dorë anëtarëve të PS-së të deklarojnë ekzistencën ose jo në strukturat e partisë. Gjithsesi, një gjë është fakt se pas kongresit të 12 dhjetorit 2003, ish-presidenti Meidani nuk ka preferuar të marrë pjesë në veprimtaritë që zhvillon PS-ja, duke u distancuar pa dhënë asnjë arsye konkrete. Ndërsa mungesat e shumta, që Rama ka marrë në mbledhjet e KPD-së, janë kapërdirë pa u përmenduar nga strukturat e kësaj partie.