E Diel, 1 Nëntor 2026

KPS miraton paketën prej 83 milion eurosh, të akorduar nga Komisioni Europian për një seri projektesh në Shqipëri

U mblodh sot, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Komiteti i  Planifikimit të Strategjive, i cili shqyrtoi dhe miratoi paketën e fondit prej 83 milionë Euro, të akorduar nga Komisioni Europian, për financimin e një serë  projektesh, me synim vazhdimësinë e reformave, zhvillimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e konsolidimin e institucioneve  në vend.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh se fushat prioritare, që do të financohen nga ky projekt janë policia dhe drejtësia. Ndërsa përfshihen dhe një sërë investimesh të tjera të rëndësishme, siç është dhe projekti i madh i ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë, për realizimin e të cilit Ministria  e Drejtësisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës  kanë gjetur truallin, në trajektoren e Bulevardit të Ri.

Duke u ndalur më gjerësisht kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh:

Kjo mbledhje e Komitetit për Planifikimin e Strategjisë, është thirrur për të miratuar projektet dhe paketën prej 83 milion eurosh, të shpërndarë në një seri projektesh për ndërtimin  dhe konsolidimin e institucioneve, siç  është në filozofinë e kësaj ndihme bujare të Komisionit  Europian dhe kryesisht  në fushat prioritare, siç është  policia, drejtësia  si dhe projektet e tjera të rëndësishme të kësaj fushe. Por, natyrisht në një raport të balancuar, midis nevojave për investime konkrete dhe për  ndihmë teknike, raporti mbështet disa reforma të rëndësishme në drejtësi, në polici, në fushën e standardeve të ushqimit dhe bujqësisë. 

Projekti  ose paketa përfshin dhe investime të rëndësishme, ndër të cilat si më të rëndësishmin do të veçoja investimin për Pallatin e Drejtësisë. Ministria  e Drejtësisë, në bashkëpunim me Komisionin, ka bërë një punë të lavdërueshme. Sëbashku me Bashkinë e Tiranës,  kanë gjetur truallin, i cili vendoset në trajektoren e Bulevardit të Ri që Bashkia është e vendosur ta  ndërtojë brenda mandatit të parë të zotit Basha. Qytetarët e presin atë dhe unë jam i bindur se Tirana, qyteti që ka një nga bulevardet më të bukura në Europë, do të ketë dyfishimin e tij në mos dhe më tutje. Një nga ndërtesat e reja buzë bulevardit do të jetë Pallati i Drejtësisë, i konceptuar si një kompleks ndërtesash, për Gjykatën e Lartë, për Prokurorinë e Përgjithshme, për  Gjykatën e Tiranës, për  Gjykatën Kushtetuese, pra do të mund të bëhet fjalë realisht për një qytezë, më shumë se sa një pallat,  të Drejtësisë, ç’ka është shumë domosdoshme për funksionimin e saj. 

Në  investimet e tjera konkrete, përfshihen dhe investimet në sistemin e kanalizimit të Vlorës, by-pass-in e Rrogozhinës dhe ky një investim i rëndësishëm, që shmang trafikun kryesor nga qyteti i Rrogozhinës dhe do të jetë në të ardhmen, një nga nyjet më të rëndësishme të autostradës  Fushë-Krujë-Rrogozhinë edhe kjo arterie shumë e rëndësishme,  e qarkullimit ,  e trafikut brenda vendit.

Janë projekte të tjera,  të cilat u përkushtohen komuniteteve. Ka dhe një mbështetje për shoqërinë civile, gjë të cilën unë e përshëndes. Është evidente përpjekja e qeverisë shqiptare, që në këtë kohë krize të thellë globale, të mund të mobilizojë fonde për shoqërinë civile, pasi roli i saj në një shoqëri demokratike është i pazëvendësueshëm.

Përfitues në total  të paketës prej 83 milionë euro, do të jetë Ministria e Drejtësisë, Ministria  e Brendshme, Ministria e Financave me një doganë të re në Hanin e  Hotit, të njëjtë me atë të Murriqanit.  Ministria e Inovacionit Teknologjisë Informacionit dhe Komunikimit, rreth 1 milion euro janë parashikuar për AKSHIN, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Bujqësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Integrimit.  Është programi Tempus i Ministrisë së Arsimit, Fondi Shqiptar  i Zhvillimit,  pra janë një seri institucionesh të vendit që përfitojnë në këtë shumë, e cila është shpërndarë midis ndihmës për konsolidimin e institucioneve dhe reformave dhe ndihmës për infrastrukturën.

Dua të pergëzoj Ministrinë e Integrimit dhe Departamentin e Bashkërendimit  të  Ndihmave për negociatat intensive që kanë zhvilluar,  si me Komisionin Europian ashtu edhe me të gjitha institucionet përfituese nga kjo paketë, duke asistuar këto institucione në përgatitjen më precize, më të saktë, më racionale të kërkesave të tyre.  


18/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›