E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, 48 orë afat për të qetësuar zhurmën e Fierit

Pranohet të vijnë në KQZ, kutitë e KZAZ-ve 18,19,22 të Fierit   
Tre kutitë e KZAZ-së numër 20, të qarkut të Fierit, në të cilat Partia Socialiste ka varur shpresat edhe për 1 deputet, për të cilat simpatizantët e PS dhe kandidatët e kësaj partie kanë protestuar mbrëmjen e së mërkurës, kanë mbërritur ditën e djeshme në Komisionin Qendror Zgjedhor, dhe do të numërohen aty. Mbas bllokimit të numërimit të tyre në KZAZ numër 20 të qarkut të Fierit, KQZ vendosi që këto kuti të transferoheshin në Tiranë për tu numëruar në KQZ, por kandidatët e Partisë Socialiste nuk kanë pranuar që transferimi i tyre të bëhej gjatë natës dhe kanë shprehur idenë që këto tre kuti, tek të cilat ata varin shpresat për të fituar një mandat tjetër, çka ata mendojnë se mund ti fusin serish në garë për të qeverisur vendin, të transferohen gjatë ditës. Tre kutitë e votimit të KZAZ numër 20 kanë mbërritur në Tiranë ditën e djeshme rreth mesditës, të cilat janë sjellë nga një makinë tip Rover të shoqëruara nga forcat e policisë si dhe kryetari, nënkryetari dhe sekretari i kësaj KZAZ-je, ato do ti nënshtrohet rishqyrtimit në këtë komision. Sipas të dhënave të KQZ numërimi i këtyre tre kutive ku kanë varur shpresat socialistët nuk është se do të bënte ndonjë ndryshim të madh lidhur me rezultatin e deritanishëm ku asnjë koalicion nuk e ka siguruar maxhorancën e ardhshme, edhe pse PD është përpara, por nuk e ka arritur akoma mandatin e 71 çka do ti siguronte asaj sigurimin e qeverisë së ardhshme. Këto kuti u bënë objekt për tensionimin e situatës pranë KZAZ-së 20 në Fier, gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës, deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Pas tensionimit të situatës mbrëmjen e së mërkurës, paraditja e djeshme e ka qenë e qetë, falë ndërhyrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe organizatave ndërkombëtare. Ndërsa kandidatët socialistë  të cilët shkuan për të qetësuar ngjarjen dhe irritimin e popullit fierak, e acaruan edhe më tepër gjendjen e krijuar. Kandidatët socialistë të cilit ishin të pranishëm në vendngjarje deklaronin se është e drejta e votuesve shqiptarë që të shqetësoheshin dhe të mbronin votën e tyre, duke mos kërkuar kështu qetësimin e gjendjes së krijuar por irritimin akoma dhe më tepër të gjendjes. Ndërsa për këtë rast kandidatë e PD kanë reaguar dhe kanë akuzuar drejtpërdrejtë kandidatët dhe komisionerët socialistë si shkaktarë të acarimit të turmës, duke theksuar se ishin kandidatët e PS në këtë qark të cilët e acaruan edhe më shumë gjendjen në KZAZ numër 20, ndërsa në mjediset e kësaj KZAZ-je kanë hyrë edhe militantë të PS-së, mes të cilëve dhe persona në kërkim dhe të armatosur. Gjithashtu akuza dhe kundër akuza ka patur dhe në mëngjesin e ditës së djeshme nga të dyja krahët, ku zëdhënëset bënë përgjegjëse të situatës partitë kundërshtare. Armela Imeraj, nga selia e PS-së i bëri thirrje PD-së që të tërheqë ministrat e saj nga KZAZ pasi sipas saj, ata po mbajnë peng mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, gjithashtu e quajti dhe provokim praninë e kandidatëve të PD të cilët ishin të pranishëm në atë KZAZ, por që nuk ishin kandidatë të Fierit. Në lidhje me këtë akuzë Majlinda Bregu sqaroi se deputetët e PD-së ishin atje vetëm për të negociuar, duke shtuar se kjo gjë u ishte kërkuar nga ndërkombëtarët që të dërgoheshin disa zonja për të qetësuar gjendjen. Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përballur me debate të ashpra në mbledhjen për KZAZ-të e Fierit, duke bërë që të ndryshohet edhe vendimi qe ishte marrë më parë, që tre KZAZ numër 18, 19, dhe 22 të mos i sillnin në Tiranë kutitë e votimit, por ta bënin numërimin e tyre në KZAZ. Kështu KQZ me shumicë votash vendosi që të gjitha kutitë e votimit të KZAZ-ve të Fierit të vijnë për numërimin në Komsionin Qendror të Zgjedhjeve. Ku janë 488 kuti votimi, të tre KZAZ-ve, të cilat do të numërohen në prezencë të anëtarëve të KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›