Policia, 320 punonjës për të ruajtur qetësinë dhe rendin
Gjatë procesit zgjedhor në qarkun e Beratit nuk është shënuar asnjë incident dhe asnjë ngjarje kriminale. Gadishmëria e forcave të policisë ka qenë e lartë dhe për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar totalisht 320 punonjës të uniformave blu. Kështu është shprehur gjatë një deklarate për shtyp shefja e seksionit juridik pranë drejtorisë së policisë në komisariatin e Beratit, Valbona Qafa.
Sipas saj gjatë procesit, çdo punonjës ishte caktuar me detyrë në qendrat e votimit dhe më pas ka shoqëruar dhe numërimin e votave nëpër KZAZ-të. E rëndësishme është se në këto zgjedhje në qarkun e Beratit nuk është shënuar asnjë incident dhe ngjarje kriminale, çka tregon se punonjësit e rendit kanë qenë në gadishmëri për të ndalur çdo ngjarje të mundshme që do të cenonte rendin dhe qetësinë publike, shtoi ajo. Qafa ndër të tjera shtoi se sipas ligjit të Republikës së Shqipërisë për policinë e shtetit detyrat janë zbatuar me përpikmëri dhe policia në të gjitha qendrat e votimit dhe në vazhdim të procesit, ka luajtur rolin e saj vetëm të ruajtjes së rendit dhe shmangien e incidenteve.