Ministria e Jashtme përshëndet presidencën suedeze
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet marrjen e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian nga Suedia. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ka përgëzuar Çekinë për përfundimin me sukses të presidencës së saj ambicioze, e cila u përball me sfida jo të vogla.
Kjo presidencë pati një domethënie të madhe për Shqipërinë, pasi gjatë këtij gjashtë mujori marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian kaloi në një nivel të ri partneriteti me hyrjen në fuqi të MSA-së, depozitimin e aplikimit për anëtarësim, si dhe u arrit progres thelbësor në procesin e liberalizimit të vizave, citohet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme, Po kështu, Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet në mënyrë të veçantë faktin që Presidenca Suedeze ka garantuar se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë në fokusin dhe axhendën e saj. Në deklaratë thuhet se Shqipëria, do të vazhdojë të avancojë në etapat e mëtejshme të rrugëtimit të saj evropian. Ministria e jashtme siguron të gjithë partnerët europianë se Shqipëria do të vazhdojë të shënojë progres thelbësor në të gjitha fushat, për tu bërë pjesë e familjes europiane.