E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, 500 qendra votimi do të ngrihen në ambiente jopublike

Pavarësisht këmbënguljes së opozitës për të evituar në maksimum vendosjen e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të tretat në ambiente private, një numër i konsiderueshëm i tyre pritet të ngrihen pikërisht në lokale apo zyra në pronësi jopublike. Bëhet fjalë për 500 KQV, të cilat do të ngrihen në ambiente jopublike. Një shifër të tillë e përmban akt-vendimi, që pritet të miratohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çka pritet të shkaktojë edhe kundërshtimin e përfaqësuesve të majtë, të cilët në vijimësi kanë shfaqur si shqetësim ngritjen jo vetëm të KQV, por edhe të KZAZ në ambiente jo publike. E ndërsa në rastin e KZAZ, KQZ dhe drejtuesit vendor kanë qenë deri diku të detyruar të marrin ambiente private në përdorim për shkak se për to kërkohen hapësira të konsiderueshme, në rastin e KQV një argument i tillë nuk qëndron, kjo pasi ato mund të funksionojnë në ambiente me hapësira më të vogla dhe që gjenden me shumicë në të gjithë territorin e vendit, si në shkolla, kopshte, qendra kulturore etj. Neni 93 i Kodit Zgjedhor përcakton se vendndodhja e qendrave të votimit, selive të KZAZ dhe Vendeve të Numërimit të Votave, për aq sa është e mundur, krijohen në ndërtesa publike me hyrje të lirë. Qendrat e votimit, selitë e KZAZ dhe vendi i numërimit të votave nuk mund të krijohen në ndërtesa private, pa autorizimin e veçantë të KQZ dhe në ndërtesa që përdoren nga administrata publike, me përjashtim të institucioneve arsimore, kulturore dhe shëndetësore, ose në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi, pjesërisht ose tërësisht, të një partie politike apo kandidati ose të afërmve të tij. Zona e qendrës së votimit duhet të jetë brenda një territori kompakt dhe të pashkëputur gjeografik dhe numri i zgjedhësve për çdo qendër votimi nuk duhet të jetë më i vogël se 150 dhe më i madh se 1000 zgjedhës. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, jo më vonë se afati i përcaktuar 20 ditë nga dita e zgjedhjeve në rast se një zonë qendre votimi ka më shumë se 1000 zgjedhës, vendos krijimin e një qendre votimi shtesë brenda së njëjtës zonë. Kryetari i njësisë përkatëse, në zbatim të udhëzimeve të nxjerra nga ministri që mbulon pushtetin vendor, bën ndarjen e listës së zgjedhësve në dy pjesë me numër përafërsisht të barabartë zgjedhësish dhe që përfshin në një qendër të vetme anëtarët e së njëjtës familje. Në këtë rast qendra e re e votimit ngrihet, për sa është e mundur, në të njëjtën godinë me qendrën ekzistuese të votimit dhe numërtohet sipas sistemit unik kombëtar të numërtimit të qendrave të votimit. Ndërkohë në rast se një zonë qendre votimi ka më pak se 150 zgjedhës, vendos që ajo t'i bashkohet zonës së qendrës së votimit më të afërt dhe me mundësi komunikimi rrugor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›