E Diel, 1 Nëntor 2026

PS i kërkon KQZ të çregjistrojë kandidatët e PD që ushtrojnë funksione zyrtare

Vazhdon sherri për raportin e Bordit të Monitorimit të Mediave
Mbledhja e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka vijuar sërish me debate të ashpra në lidhje me raportin e Bordit të Monitorimit të Mediave për pasqyrimin e fushatës zgjedhore nga mediat audiovizive. BMM edhe këtë herë ka sjellë 2 raporte mbi kohën televizive të partive. Anëtarët e Partisë Demokratike të BMM kanë paraqitur një raport, i cili nuk përmban kohën e qeverisë të përdorur për fushatë elektorale. Pra, shumica e BMM, një pjesë të kohës të pasqyruar në media të fushatës së PD, e kanë kaluar si kohë të qeverisë. Ndërsa anëtarët e Partisë Socialiste kanë paraqitur një raport pranë KQZ, në të cilin është përfshirë edhe koha e qeverisë për përurimet dhe kartat e identiteti, që sipas tyre është përdorur për fushatë. Të dyja palët i bënë apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të marri masa ndaj televizioneve që të balancojnë kohën në favor apo disfavor të forcave politike. Më konkretisht, Kryetari i BMM, Basir Çollaku tha se gjatë monitorimi të edicionit të lajmeve dhe pasqyrimit të aktivitetit politik, TVSH duhet të kompensojë kohën në favor të Partisë Socialiste me 23 minuta transmetim. Ndërsa anëtarët e PS të BM pohuan se TVSH duhet të kompensojë kohën në favor të PS jo me 23 minuta, por me 86 minuta. Sipas Çollakut, BMM ka konstatuar se të gjitha mediat elektronike nuk kanë respektuar nenin 81 pika 1 lidhur me kohën që duhet të përfitojnë partitë parlamentare që kanë marrë nën 20 % në kuvend, krahasuar me partitë që kanë më shumë se 20 %. Gjithashtu ai i propozoi KQZ të marrë vendim për operatorët, për të cilët janë konstatuar këto shkelje dhe të bëjë të mundur ndërprerjen e reklamave politike në ato raste kur është kaluar koha e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe transmetimet në oraret e palejuara. Ndërsa Ristani i kërkoi BMM të ndajë kohën për secilin aktivitet të partive politike dhe të përurimeve të kryeministrit, duke theksuar se pasi të bëhen verifikimet e nevojshme, KQZ do të marri një vendim përfundimtar. Ndërkohë, po gjatë mbledhje së djeshme të KQZ, anëtarët socialist ngritën një shqetësim tjetër për disa kandidatë për deputet të PD, të cilët ende nuk kanë dhënë dorëheqjen nga ushtrimi i funksioneve publike. Përfaqësuesi i PS në KQZ, Genci Gjonçaj, duke ndritur këtë shqetësim që ka lidhje me zgjedhjet, u shpreh se në nenin 69 të Kushtetutës përcaktohet nuk mund të kandidojnë për deputet pa hequr dorë nga detyra më parë nga ushtrimi i funksioneve publike, në të kundër mandati i fituar është i pavlefshëm. Gjonçaj i kërkoji kreut të KQZ, Arben Ristanit, që të bëjë çregjistrimin e të gjithë kandidatëve të PD që garojnë në zgjedhje, të cilët aktualisht kryejnë detyra publike. Çdo garim i këtyre njerëzve që kanë këtë papajtueshmëri me ligjin, pra janë mbajtës së një mandati publik si kryetar bashkish apo komunash, prefekt etj, i sjell mandatet e tyre të ardhme në kushtet e pavlefshmërisë. Mbas 28 qershorit këta njerëz nuk mund të përfitojnë asnjë lloj mandati për në parlament për arsyet që thamë. Shumë anëtarë të PD e kanë këtë problem, por fatkeqësisht ata nuk do t;ia arrijnë qëllimit, sepse ligji nuk bëhet mbi bazën e qejfit personal, por mbi atë që është votuar nga populli, u shpreh Gjonçaj. Më tej, ai kërkoj KQZ që të gjithë këto persona të paraqesin në mënyrë urgjente pranë KQZ dorëheqjen nga resursi publik. Një kopje e dorëheqjes duhet të vijë pranë KQZ. Nëse KQZ nuk e ushtron detyrën e vet për ta ndaluar këtë fenomen, atëherë kjo përbën një shkelje të rëndë për Kushtetutën, gjë e cila do të sjellë kontestimin e zgjedhjeve, vijoi Gjonçaj. Ndërsa Ristani e konsideroi problemin që ngriti Gjonçaj si të drejtë dhe premtojë që së shpejti KQZ do të marrë masa ashtu siç e përcakton ligji. Problematika qëndron, kandidatë që ushtrojnë funksione zyrtare duhet të japin dorëheqjen. Megjithatë KQZ do tu bëjë që nesër një shkresë kujtese të këtyre personave, tha Ristani. Nga ana tjetër përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti, duke iu kundër përgjigjur pretendimeve të përfaqësuesit socialist, u shpreh se mandatin e këtyre personave do ta zëvendësojnë kandidatët e tjerë pas tyre. KQZ ku miraton listat e kandidatë dhe dokumentet që duhet të paraqesin, nuk ka përcaktuar se kandidatët të paraqesin dorëheqjen. Por, ai që është në listë dhe nuk e ka bërë dorëheqjen në kohën e duhur, mandatin e ka të pavlefshëm, përfundoi Kosovrasti. Por, Gjonçaj u shpreh se këtyre kandidatëve nuk mund t;u pranohet më dorëheqja dhe që tani mandati i tyre është djegur.  

Last Updated on Thursday, 18 June 2009 13:12

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›