Senatorët italianë, Berishës: E meritoni NATO-n
Kryeministri Sali Berisha priti dje një delegacion të nivelit të lartë të Senatit italian, të kryesuar nga kryetari i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Serxho de Grigorio, dhe me pjesëmarrjen e ish-Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Italisë, senatorit Lamberto Dini dhe ish-presidentit të Senatit italian, senatorit Franko Marini. Senatorët italianë përgëzuan qeverinë shqiptare për reformat duke deklaruar se Shqipëria e ka merituar anëtarësimin në NATO. Ata theksuan se Shqipëria do të jetë një vlerë e shtuar për NATO-n, duke qenë një vend i cili ka ndërmarrë reforma të thella dhe ka dhënë një kontribut real me forcat e saj përkrah NATO-s në disa vende dhe ka luftuar e është vendosur përkrah saj kundër terrorizmit. Kryeministri Berisha i njohu senatorët italianë me ecurinë e reformave të rëndësishme, me luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit, me hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit të risorseve të shumta të Shqipërisë dhe veçanërisht në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja. Senatorët italianë thanë se Shqipëria është një vend me shumë interes për kompanitë italiane, interes i cili nuk ka njohur dhe nuk do të njohë rënie, me gjithë krizën ekonomike, duke veçuar bashkëpunimin në fushën e energjisë.