Topalli, Belgjika mbështet liberalizimin e vizave
Belgjika, një nga shtetet kyçe në Bashkimin Evropian, do të mbështesë Shqipërinë për një liberalizim sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë. Një konfirmim të tillë e mori dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vizitoi Brukselin. Në takimin me kryetarin e Kuvendit të Belgjikës, Topalli mori garanci publikisht nga homologu i saj belg se do të punohet për përshpejtimin e këtij procesi. “Në këtë kuadër, - u shpreh kryetari i Parlamentit belg, Patrick Dewal, - unë do të bisedoj personalisht për çështjen e liberalizimit të vizave me përfaqësuesit e qeverisë së Belgjikës, si një prej vendeve më me influencë në BE, dhe që vitin e ardhshëm, merr presidencën e radhës”. Kjo deklaratë, e thënë nga një prej personaliteteve më të larta të Belgjikës, merr vlerë kur pritet që në fillim të vitit 2010, të marrë presidencën e BE-së. Gjatë kësaj periudhe, parashikohet që qytetarët shqiptarë të lëvizin lirisht në Perëndim. Kryetarja e Kuvendit tha se mbështetja e Belgjikës është e një rëndësie të veçantë dhe siç u shpreh ajo, “në një kohë kur ambicia jonë është që në vitin e parë të mandatit të dytë të realizojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve”. Sipas saj, një arritje e tillë u dedikohet reformave të qeverisë. “Kemi nisur dhe do përfundojmë së shpejti procesin e pajisjes me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Të gjithë këta hapa janë në shërbim edhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë që meritojnë të qarkullojnë të lirë në Evropë, pjesë e së cilës ndihen”, - tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi veçanërisht mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në procesin e ratifikimit të MSA-së dhe Protokollit të Anëtarësimit në NATO, si një ndihmë e konsiderueshme për rrugëtimin evropian të vendit tonë. “Pas dy javësh Shqipëria do të përjetojë ngjarjen më të rëndësishme në historinë e saj, pas shpalljes së Pavarësisë, atë të anëtarësisë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në NATO”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit. Kryetari i Parlamentit belg, vend i cili u prek në mënyrë të konsiderueshme nga kriza globale, vlerësoi reformat ekonomike të Shqipërisë dhe vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Doktrina jonë ekonomike rezultoi efikase dhe ne përballuam valën e krizës”, - informoi Topalli.