Zgjedhjet në PD, në pikën kulmore
Partia Demokratike mbërrin në pikën kulmore në procesin e rinovimit brenda saj. Teksa mbeten pak muaj larg nga data e zgjedhjeve, PD-ja ka përfunduar procesin e zgjedhjes së kryetarëve të rinj në rreth 30 degë të vendit. Në mjaft rrethe të vogla, por edhe në disa të mëdha, procesi është mbyllur duke ua lënë stafetën zgjedhjeve në degët kryesore. Muaji mars, por edhe fillimi i muajit prill, do të jetë vendimtar për PD-në, pasi pritet të mbyllet procesi i zgjedhjeve të brendshme në mjaft degë kryesore të saj. Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani janë në fazat finale të përgatitjes nga sesionet, për të shkuar në kutitë e votimit për të votuar kreun e ri. Sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, bën me dije se “vetëm në 15 degë të PD-së procesi ende s’ka përfunduar”. Sipas tij, në muajin prill do të përfundojë procesi i rinovimit të strukturave drejtuese të PD-së. Ai konfirmon se në fund të procesit kanë mbetur degët kryesore, si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri. Ndërkohë, në disa rrethe të mëdha, si Korça apo Gjirokastra, kanë përfunduar zgjedhjet. Në Korçë kreu i ri i PD-së do të jetë Gjergj Papa, ndërsa në Gjirokastër është zgjedhur Altin Çomo.
Sekretari organizativ thekson se zgjedhjet kanë shënuar një konkurrencë të fortë brenda Partisë Demokratike në bazë. Si në Korçë apo Gjirokastër, ka pasur një numër të madh kandidatësh që kanë garuar mes tyre. Në mjaft degë ka pasur edhe balotazh mes kandidatëve, për shkak se nuk ka kaluar mbështetja mbi 50 për qind. Kukësi dhe Berati kanë kaluar në balotazh për shkak të konkurrencës brenda partisë.
Teksa afrohet muaji prill, qershia mbi tortë duket se do të jetë Tirana dhe Durrësi. Kryeqyteti ka disa kandidatë potencialë, si Aldo Bumçi, Besnik Mustafaj dhe Edi Paloka. Sekretari organizativ thotë se ende po punohet me sesionet e PD-së në kryeqytet, por ai shprehet se në muajin prill, gara do të finalizohet. Ndërkohë pritet që në muajin prill të mblidhet edhe Kryesia e PD-së e cila do të marrë vendimin për kandidatët në kryeqytet. Tirana ka qenë në fokusin e Kryesisë, pasi në të janë përcaktuar edhe koordinatorët për çdo njësi bashkiake të cilët kanë koordinuar punën me mbledhje e sesione, si dhe nxjerrjen e kandidatëve të mundshëm. Zgjedhjet nuk do të prekin vetëm drejtuesit, por edhe këshillat vendimmarrës, si kryesitë. Tirana pritet të ketë një kryesi të zgjeruar prej 35 vetësh. Një tjetër garë e fortë dhe me interes pritet të jetë edhe qyteti i Durrësit. Në qytetin bregdetar ka disa kandidatë potencialë. Vlora e Fieri po karakterizohen nga një konkurrencë e fortë, ku mjaft kandidatë kanë shpallur ambicien për të qenë në krye të PD-së së rrethit. Edhe rrethi i Elbasanit pritet të zgjedhë kryetarin e ri. Dega aktualisht drejtohet nga Aurel Bylykbashi. Me mbylljen e zgjedhjeve brenda strukturave, PD-ja do të mbajë edhe Kuvendin, ku pritet të zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar, Kryesia e re si dhe Sekretariati.
Kryetarët e rinj të PD-së në rrethe
Dibër
Naim Gazidede
Delvinë
Dhurim Alimani
Korçë
Gjergj Papa
Kolonjë
Viktor Durro
Devoll
Gëzim Dunkolli
Kuçovë
Fadil Mara
Përmet
Arian Kacaj
Shijak
Dardan Domi
Gjirokastër
Altin Çomo
Rrethet në pritje
Tirana
Durrësi
Vlora
Fieri
Elbasani
Kukësi (balotazh)
Berati (balotazh)
Shkodër
Lezhë
Zgjedhja e drejtuesve të rinj në bazë
Kryesia e PD-së ka përcaktuar me anë të një udhëzimi të posaçëm mënyrën e organizmit të zgjedhjeve në çdo sesion. Në bazë të këtij udhëzimi, çdo seksion ka të drejtë për të propozuar kandidatura për kryetar të degës së PD-së, kryetar të grup-seksionit, 1-2 kandidatura për anëtar të kryesisë së degës, anëtar mundësisht drejtues me përvojë për komisionin e apelimit së degës. Për sa u përket zgjedhjeve në Tiranë, Kryesia qendrore e PD-së është ajo që në bazë të statutit të partisë ka të drejtën e përzgjedhjes së dy kandidaturave të vetme për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Më pas, dy kandidaturat e seleksionuara nga Kryesia i përcillen konferencës së degës së PD-së, e cila voton për një emër të vetëm. Kandidaturat për kryetar të degës së PD-së përcillen për miratim nga kryesia e degës për në Kryesinë qendrore dhe kryetari i grupit të punës. Kryesia qendrore ka të drejtën e refuzimit apo propozimeve shtesë. Vetëm kandidaturat e miratuara nga Kryesia qendrore kanë të drejtën t’i nënshtrohen votimit në kuvendin e degës.
PD, afrohen mijëra anëtarë të rinj
Procesi i zgjedhjeve në PD ka pasur edhe një anë tjetër medaljeje, anëtarësinë. Gjatë zgjedhjes së drejtuesve të rinj në rrethe, është bërë i mundur edhe afrimi i anëtarëve të rinj. Sekretari organizativ, Flamur Noka, kujton se procesi i rinovimit ka afruar mijëra anëtarë të rinj, si intelektualë nga shoqëria civile, të rinj, të shkolluar jashtë vendit, studentë, por edhe shumë të tjerë. Tashmë PD-ja ka një databazë të re me anëtarët e saj. Partia Demokratike, dega Tiranë ka arritur rekordin e saj. Në këtë degë, anëtarësimet kanë kaluar numrin e 10 mijë personave. Alternativa e PD-së është përqafuar edhe në mjaft rrethe të tjera. Njëkohësisht edhe të zgjedhurit lokalë në bazë, pjesa më e madhe e tyre janë prurje të reja. Mjaft kryetarë dhe drejtues në rrethe kanë ardhur nga shoqëria civile.