E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj-Oketa kërkojnë liberalizim vizash



Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, Preç Zogaj, kanë pritur në takime të veçuara senatorët italianë. Ministri Oketa u shpreh se Shqipëria ka kryer reforma të thella jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në shumë fusha të tjera. Zogaj, duke vlerësuar mbështetjen e Italisë për Shqipërinë, kërkoi prej saj ndihmesë në liberalizimin e vizave me BE-në, si një domosdoshmëri për qytetarët shqiptarë. Senatori De Gregorio vlerësoi kontributin real të Forcave të Armatosura të Shqipërisë me misionet e saj paqeruajtëse përkrah NATO-s, duke shtuar se “statusi i ri i Shqipërisë si anëtare e NATO-s lehtëson edhe më shumë aspiratën për anëtarësimin edhe në Bashkimin Evropian”. Njëkohësisht, edhe kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme, Zogaj, dhe deputetët e tjerë, vlerësuan bashkëpunimin dhe kontributin e Italisë në procesin e ristrukturimit të Ushtrisë Shqiptare.

Rindërtohet selia e PD-së

Selia e Partisë Demokratike po merr një pamje të re. Prej ditësh kanë nisur punimet për rinovimin e saj. Projekti parashikon shndërrimin e selisë qendrore. Selia e re nuk do të ketë asgjë të ngjashme me atë të vjetrën. Burime pranë PD-së sqarojnë se parashikohet të rindërtohet gjithë pamja e jashtme e selisë. Fasada e PD-së do të vishet me xhama të tejdukshëm, duke marrë pamjen e selive të partive evropiane. Çdokujt i kujtohet ballkoni i katit të dytë të selisë së PD-së. Në kohët më të vështira të opozitës së djathtë, ballkoni në katin e dytë ishte një pikënisje për simpatizantët e PD-së që prisnin çdo të re poshtë selisë. Ballkoni ku janë mbajtur me dhjetëra fjalime dhe mitingje, tashmë është rrëzuar për t’u zëvendësuar nga fasada e xhamit. Brenda pak javësh, selia e PD-së do të marrë pamjen e re të plotë.

Senatorët italianë vlerësojnë Bashën për paqen në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje delegacionin e Senatit italian të kryesuar nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, senatorin Serxho de Gregorio, i cili shoqërohej nga ish-ministri i Jashtëm i Italisë dhe aktualisht kryetari i Komisionit të Jashtëm në Senatin italian, senatori Lamberto Dini, si dhe nga ish-kryetari i Senatit italian, Franko Marini. Pas diskutimit të zhvillimeve më të fundit në rajon, senatorët italianë vlerësuan rolin Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktor paqeje, stabiliteti dhe moderacioni në përpjekjen për integrimin e plotë euroatlantik dhe evropian të të gjithë rajonit. Ata, pasi përgëzuan qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut pas dy javësh në samitin e Strasburg/Kehlit, shprehën mbështetjen e plotë që Italia i jep Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në si dhe integrimit të plotë të Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Evropian. Ministri Basha, pasi bëri një ekspoze të zhvillimeve në vend, duke u ndalur në konsolidimin e reformave ekonomike dhe politike dhe hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian të vendit, falënderoi senatorët për rolin që Italia ka luajtur si partneri ynë kryesor politik dhe strategjik në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për një integrim të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›