E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Depozitimi i firmave vetëm pranë KQZ-së

Autori i Lajmit: red.
Çdo parti politike, që regjistrohet në garën elektorale dhe që nuk ka mandate në Kuvend, duhet të depozitojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve të saj për çdo qark, të shoqëruar këtë me 10 mijë firma të noterizuara. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje udhëzimin përkatës për dorëzimin e listës së kandidatëve dhe afateve përkatëse. Por ndryshe nga sa ishte parashikuar, KQZ vendosi që firmat të depozitohen vetëm në KQZ ose pranë noterit dhe jo në zyrat rajonale. Vendimi u mor pas propozimit të përfaqësuesve të dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. “Nëse do t i rikthehemi ashtu si u përcaktua në udhëzimin përkatës për zyrat rajonale, u ra dakord që asnjë moment ato nuk do të kenë aktivitet vendimmarrës. Në vështrim të nenit 71, del e qartë se Kodi Zgjedhor nuk krijon hapësira që një kompetencë e tillë t u delegohet zyrave rajonale”, - tha përfaqësuesi i KQZ-së, Genci Gjonçaj. Mbi këtë argument u mbështet edhe anëtari socialist i KQZ-së, Artan Lazaj. Madje, ai shtoi se zyrat rajonale ku janë punësuar nëpunës të përkohshëm nuk kanë besueshmërinë e duhur për këtë proces. Edhe përfaqësuesi i demokratëve, Njazi Kosovrasti, mbështeti propozimin madje, pohoi se realisht problemi nuk ekziston, sepse, sipas tij, me vendimin e marrë nga ligjvënësi, partitë e vogla do të detyrohen të jenë pjesë e një koalicioni. “Partitë politike të vogla janë të detyruara të bashkohen në grupime. Do të gjenden aq mandate në Kuvend sa të mos shkohet te format. Ligjvënësi për ta vështirësuar këtë punë ka thënë në KQZ ose me noter. Kështu që mendoj se problemi e ka zgjidhjen se është një detyrim se votat e të vegjëlve ikin dëm dhe ligji i detyron të bashkohen me grupimet e mëdha”, - tha ai. Pas diskutimeve u ra dakord që depozitimi i firmave do të bëhet në KQZ, rast pas rasti, nga punonjësit e autorizuar nga KQZ. U saktësua gjithashtu se partitë politike duhet të publikojnë listat shumemërore të kandidatëve për deputetë jo më vonë se 40 ditë nga data e zgjedhjeve kurse koalicionet duhet t i paraqesin këto lista jo me vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve. Po dje u miratua udhëzimi për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël që do të kontrollojnë financat e partive. Shorti për zgjedhjen e ekspertëve do të hidhet më 15 maj. KQZ duhet të zgjedhë 20 kontabilistë për të realizuar kontrollin, të cilët duhet të kenë 5 vjet eksperiencë, por edhe të mos kenë marrë asnjë masë disiplinore gjatë punës së tyre si dhe të mos kenë lidhje me kandidatët deri në 4 breza.
Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›