E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet kompania izraelite që do të bënte fushatën e PD-së

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ditët e para të marsit kanë qenë intensive për drejtuesit e Partisë Demokratike dhe të mazhorancës në përgjithësi, për sa u përket koalicioneve dhe politikave të së djathtës në zgjedhjet e 28 Qershorit. Një nga takimet e shumta që Kryetari i PD-së dhe kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar në zyrën e tij për çështjet e strategjive të hyrjes në fushatën zgjedhore, dhe e programuar në axhendën e tij prej kohësh, ka qenë edhe pritja e delegacionit të drejtuesve të firmës amerikano-izraelite të sondazheve dhe manaxhimit të fushatës për zgjedhjet e ardhshme. Burime të besueshme brenda selisë “blu” bëjnë të ditur se javën e dytë të marsit kreu i mazhorancës ka pritur në zyrën e tij administratorët e firmës amerikano-izraelite ku është diskutuar mbi fazën finale të strategjisë së daljes në fushatë dhe sondazheve në bazë si dhe performancën e qeverisë së re të djathtë në rast fitorje të koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike. Këtë fakt nuk e mohojnë edhe burime brenda sekretariatit të PD-së, takimin e Kryeministrit me administratorët e firmës, të cilët shtojnë se për sa i përket marrjes përsipër të të gjithë strategjisë, nuk është rënë dakord në disa pika, efekti financiar nuk ka pasur kontestime, por politikat strategjike dhe performanca e qeverisë së ardhshme kanë qenë ato që kanë bërë që të mos bihet dakord ndërmjet palëve. Sipas të njëjtave burime, krerët e kompanisë amerikano-izraelite, i kanë propozuar kreut të PD-së dhe kryeministrit Berisha që të deklarojë tërheqjen e tij nga posti i Kryeministrit dhe daljen në fushatë me një model të ri qeverisjeje dhe staf teknicienësh, gjë që nuk është pranuar nga kreu i mazhorancës, duke u lënë një hapësirë tjetër drejtuesve të kompanisë, të cilët kanë insistuar duke iu drejtuar atij se kjo është e vetmja kartë që ne kemi konstatuar fituese, pra tërheqja e Berishës si kryeministër dhe angazhimi i tij vetëm në kreu e Partisë Demokratike, një tezë e cila është hedhur poshtë menjëherë nga shefi i mazhorancës. Një tjetër pikë e cila ka hasur në kundërshti të mëdha ka qenë edhe ajo e imazhit të PD-së dhe sidomos e qeverisjes së ardhshme. Sipas kompanisë në fjalë, qeveria e ardhshme do të duhet të bëhej publike që në fushatë, njësoj si fushata e partive në SHBA, pra i gjithë kabineti qeveritar emrat e ministrave dhe kryeministri, përjashto emrin e Berishës, duhet të dilnin në fushatën e së djathtës me sloganin e qeverisë së teknicienëve, një opsion që, sipas kreut të PD-së, është i pamundur, duke parë se do të duhej marrë edhe oferta e teknicienëve nga partitë e tjera të koalicionit, koalicion i cili akoma nuk ka marrë formën përfundimtare të tij përjashto nënshkrimin e marrëveshjes me republikanët. Pas debatesh të vazhdueshme nga të dy palët, çdo gjë është mbyllur në heshtje, sipas të njëjtave burime, duke bërë që kompania amerikano-izraelite të largohet pa marrë asnjë lloj përgjigjeje, pra as po, as jo. Një gjë është e sigurt për demokratët se tashmë është shumë vonë për të zhvilluar negociata me kompani të ndryshme për të bërë monitorimin e sondazhve parazdhedhore si dhe menaxhimin e fushatës elektorale të saj, duke parë se kanë ngelur vetëm disa javë nga fillimi i fushatës. Me sa duket, demokratët do të mjaftohen me pajtimin e disa individëve apo një grupi mediatik që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jo ndonjë kompanie profesionale ardhur nga jashtë.

Thirrja e Mustafajt për Berishën
“Paraqit para elektoratit qeverinë fituese”
Një sugjerim të ngjashëm me atë të kompanisë menaxhuese amerikano-izraelite të zgjedhjeve dhe fushatës, ka bërë ditë më parë, për sa i përket imazhit dhe paraqitjes së kabinetit të ardhshëm qeveritar, edhe deputeti i PD-së Besnik Mustafaj. Ish-ministri i Jashtëm i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha, duke thënë: “Unë do të doja të tërhiqja vëmendjen e kryeministrit Berisha në një pikë. Duke përfituar nga e drejta kushtetuese që ka si kryetar i qeverisë, duke përfituar dhe nga detyrimi politik që ka si kryetar i mazhorancës, mendoj se është një rast ku Berisha duhet të kryejë një operacion të thellë në qeverinë e sotme, në mënyrë që të paraqesë përpara shqiptarëve ekipin qeverisës me të cilin do të fitojë zgjedhjet dhe ekipin me të cilin do ta qeverisë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike dhe mazhoranca e djathtë duhet të përfitojë nga të gjitha rastet për të shfaqur përpara shqiptarëve imazhin e tyre si fitimtarë të ardhshëm”.
Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›