Pollo: Kandidatët të mos jenë drejtorë
06/04/2005 Kryetari i PDR-së, Genc Pollo, ka kërkuar dje që titullarët e ndërmarrjeve shtetërore, që kandidojnë në garën elektorale të vitit 2005, të japin dorëheqjen nga posti që kanë dhe për 4 vjetët e ardhshme të mos kenë të drejtë të kthehen në detyrë. Kreu i reformatorëve tha se Partia Socialiste kërkon që të kandidojë krerë agjencish, të cilët qarkullojnë miliona euro dhe ende kërkojnë që të qëndrojnë në detyrat që ata kanë. “Këta kandidatë mund të hyjnë në garë, por më parë duhet të japin dorëheqjen nga detyra që ata mbajnë”, tha Pollo. Nga ana e tij, kreu i reformatorëve i ka kujtuar PS-së Kushtetutën, duke kërkuar njëkohësisht dhe respektimin e saj. Kërkesa e Pollos vjen pas bërjes publike të emrave të kandidatëve të PS në Tiranë, ku një pjesë e mirë e tyre janë njëkohësisht dhe drejtorë të ndërmarrjeve të ndryshme shtetërore. Vetë kryetari i PDR-së, Genc Pollo, pritet të jetë një prej kandidatëve të një prej zonave elektorale në Tiranë.