E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Gjithçka gati, zgjedhjet mbyllen sot

21-08-2011 / Gazeta 55

Me votimin e sotëm në komunën Shalë të Shkodrës, përfundojnë zgjedhjet vendore

Dita e sotme pritet të jetë dhe dita e fundit ku edhe ata qytetarë të cilët kanë ngelur pa votuar, do të shprehin vullnetin e tyre. Do të jetë komuna e Shalës në Shkodër ajo që do të flasë e fundit, për zgjedhjet lokale të nisura që më 8 maj dhe që sipas gjasave pritet të përfundojnë ditën e sotme. Në 5 qendra votimi banorët e kësaj komune do të drejtohen duke filluar nga ora 07 e mëngjesit të sotëm, ndërsa mbyllja e Qendrave të Votimit, është orari klasik, ora 19. Lidhur me këtë votim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi dje se gjithçka është gati për zgjedhjet e ditës së sotme. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në 5 qendrat e votimit në komunën e Shalës në Shkodër. Komisioni Qendror i ka tashmë edhe emrat e përfaqësuesve të opozitës për KZAZ-të e komunës, pasi ata i kanë dërguar emrat e tyre në komisionin përkatës dhe se gjithçka është gati për zhvillimin e procesit zgjedhor”, deklaroi Olli. Ai vuri në dukje se Qendrat e Votimit ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme do të hapen në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19.00, duke theksuar se në gatishmëri do të jenë edhe forcat e policisë të cilat do të garantojnë qetësinë dhe rendin gjatë kohës së votimeve. Zgjedhjet në komunën Shalë përsëriten për të tretën herë, pasi më 8 maj ato nuk u zhvilluan fare, ndërsa në përsëritjen e tyre më 31 korrik, votimi u anulua për shkak se materialet zgjedhore mbërritën gjashtë orë me vonesë nga orari zyrtar. Por krahas kësaj, në qendrat e votimit të kësaj komune, komisionerët e KZAZ-së së Shkodrës e argumentuan anulimin e procesit, me faktin se komisionerët nuk plotësonin kriteret.
Policia merr masat për mbarëvajtjen e procesit/Drejtoria e Policisë e Qarkut të Shkodrës ka marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë përsëritjes së procesit zgjedhor në komunën e Shkalës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e qarkut deklaruan dje se “janë marrë në ruajtje nga shërbimet policore objektet dhe materialet zgjedhore, ndërkohë që në zbatim të programit të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit “Për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë, në funksion të përmbushjes së detyrave institucionale, gjatë përsëritjes së zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, datë 21.08.2011”, ka organizuar punën, duke hartuar planin e masave, me detyra konkrete, për mbarëvajtjen e përsëritjes së procesit zgjedhor në 5 qendrat e votimi në Komunën Shalë.
Nga i njëjti burim, mësohet se strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, janë të angazhuara maksimalisht në përmbushjen e detyrave dhe objektivave bazë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij procesi, me qëllim zhvillimin sa më normal dhe shmangien e çdo lloj incidenti. “Uniformat blu të Qarkut Shkodër do kryejnë me profesionalizëm detyrat e ngarkuara me ligj, duke vepruar me  paanësi dhe duke kërkuar zbatimin e ligjit nga të gjithë individët, pavarësisht nga bindjet dhe pozitat e tyre shoqërore. Për këtë arsye me të gjithë punonjësit e policisë, që do jenë të angazhuar në këtë proces zgjedhor, janë ripunuar ligji për Policinë e Shtetit, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Ligji për Tubimet, Kodi i Etikës së Policisë etj”- thuhet në një njoftimin e Policisë së qarkut Shkodër.
Në njoftim thuhet gjithashtu se “në ora 18.00, të datës së sotme 20.08.2011, nga ana e  Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, është organizuar puna dhe janë marrë në ruajtje materialet dhe objektet zgjedhore, konkretisht 5 Qendra e Votimi dhe 1 KZAZ, objekte këto të cilat do të ruhen nga shërbimet policore, nga momenti kur në to kanë mbërritur materialet zgjedhore, gjatë natës dhe deri në datën 21.05.2011, në momentin kur të fillojë procesi i votimit”.

Komuna Shalë s’ka votuar asnjëherë
Zgjedhjet e sotme në Shalë të Shkodrës zhvillohen për herë të tretë. Në dy datat e mëparshme, më 8 maj dhe 31 korrik nuk është votuar për shkaqe të ndryshme, edhe pse një pjesë e Qendrave të Votimit janë hapur që në orët e para të mëngjesit, por në orët e mesditës janë mbyllur, duke u ndërprerë për shkak të parregullsive të vërejtuar nga KZAZ e Shkodrës. Edhe të dielën e 31 korrikut u vërejt e njëjta situatë, teksa mos funksionimi i procesit, për arsye se komisionerët socialistë dhe militantë të kësaj force politike, çuan në pezullimin e zgjedhjeve. Sot pritet që komuna Shalë të njohë zyrtarisht kryetarin dhe këshillin komunal. 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›