Raporti i ODIHR, KQZ: Politika është përgjegjëse për vërejtjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve drejton gishtin e përgjegjësisë te partitë politike në vend, lidhur me kritikat e OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e 8-ë majit. Në reagimin e parë të institucionit më të lartë zgjedhor për draftin përfundimtar të ndërkombëtarëve për zgjedhjet, janë partitë politike ato të cilat me papërgjegjshmërinë e tyre shkaktuan problematikën dhe bënë që procesi i 8 majit të jetë ende i pambyllur. Zëdhënësi Leonard Olli solli si shembull për të ilustruar këtë qëndrim të KQZ-së ndaj partive politike edhe sjelljen e këtyre të fundit ndaj komunës Shalë, procesi zgjedhor në të cilën pritet të mbahet ditën e sotme. “Për fat të keq edhe pse ka dalë raporti përfundimtar i ODIHR-it zgjedhjet nuk kanë përfunduar dhe kjo nuk na nderon. Jo thjesht si KQZ sepse ne jemi thjesht një institucion ekzekutiv, por në radhë të parë nuk nderon ato subjekte, siç janë partitë politike të cilat vonojnë në mënyrë të pakuptimtë zgjedhjet. Kanë rendur partitë të hedhin barrën dhe peshën e fajit te KQZ, ndërkohë që me papërgjegjshmërinë që i ka karakterizuar që në fillim të këtij procesi dhe në këtë moment që flasim, rrezikojnë të dështojnë zgjedhjet në komunën e Shalës” - tha Olli. Zëdhënësi i KQZ-së tha se gjithsesi qëndrim më i plotë ndaj raportit të OSBE/ODHIR-it do të mbahet nga ky institucion në ditët në vijim. OSBE/ODIHR publikoi pak ditë më parë raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke i vlerësuar ato si kompetitive dhe me standarde.