Qeveria pranon krizën, ndryshon buxhetin
Shpenzimet e qeverisë para dhe gjatë fushatës elektorale kanë kaluar parashikimet duke arritur në 402 miliardë lekë
Bode: Niveli i të ardhurave ulet me tetë miliardë lekë, deficiti më i madh vjen nga doganat
TIRANË- Ndikimet e krizës ekonomike në vend detyrojnë qeverinë që të rishikojë parametrat e buxhetit të vitit 2009 duke ulur nivelin e të ardhurave me rreth tetë miliardë lekë në krahasim me parashikimin.
Gjatë propozimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2009 para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, ministri i Financave, Ridvan Bode, nënvizoi se është vërejtur një rënie të të ardhurave nga doganat për shkak të uljes së ritmeve të importit të mallrave.
"Ulja ka ardhur kryesisht nga dogana për shkak të diferencës së çmimeve, por edhe për shkak të një rënieje të ritmeve të importit të mallrave", - tha Bode, duke shtuar nga ana tjetër se ndryshimet në fjalë bëhen duke i tërhequr fondet nga ato projekte, realizimi i të cilave ka hasur në vështirësi dhe investuar në sektorë të tjerë, të cilët kanë treguar ecuri të mirë.
Sipas tij, ecuri të mirë kanë pasur investimet në ndërtimin e rrjetit rrugor, sektor ky i cili pritet të marrë "pjesën e luanit" të fondit rreth nëndë miliardë lekë që pritet të jenë subjekt i këtyre ndryshimeve.
Krahas ndryshimeve të propozuara, ministri Bode ka pranuar edhe ndikimet negative të krizës botërore në vend, e cila sipas tij do të shkaktojë ulje të ritmeve të rritjes ekonomike.
"Ndryshimet më të fundit reflektojnë zhvillimet në ekonominë e Shqipërisë dhe atë botërore. Kriza ka dhënë efektet e saj edhe në ekonominë e vendit.
Nëse gjatë tremujorit të parë të këtij viti rritja ekonomike ishte në shifrat e 6 për qind, sigurisht që ky ritëm nuk do të ruhet edhe gjatë muajve të ardhshëm", - theksoi Bode.
Sipas ndryshimeve të propozuara, të ardhurat buxhetore nga rreth 334.8 miliardë lekë që ishin planifikuar gjatë miratimit të këtij buxheti në nëntor të vitit të kaluar, janë ulur në shifrat e 327 miliardë lekëve.
Ndryshime më të mëdha kanë hasur shpenzimet, të cilat megjithëse ishin parashikuar në shifrat e 384.8 miliardë lekëve, në kushtet e një viti elektoral kanë pësuar një rritje të konsiderueshme duke arritur në 402 miliardë. Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve ka sjellë një rritje të ndjeshme të deficitit.
Sipas propozimit të financave, deficiti buxhetor parashikohet të kapë shifrat e 74 miliardë lekëve, nga 50 miliardë lekë që ishte planifikuar.
Pjesë e buxhetit të vitit 2009 janë edhe fondet e sigurimeve shoqërore dhe ato shëndetësore.
Nga një krahasim midis planifikimit dhe propozimeve të bëra së fundmi nga financat, të ardhurat nga kontributet shënojnë një mosrealizim me rreth 2 miliardë lekë, çka ka detyruar qeverinë që për të mbajtur të pandryshuar treguesit e kësaj skeme këto para t'i shtojë nga buxheti i shtetit.
Ndryshimet e bëra në buxhetin e këtij viti
Ishte bëhet
Të ardhurat 335 mld lekë 327 mld lekë
Shpenzimet 384.8 " 401.9 "
Deficiti 50 " 74.7 "
Shpenzimet korrente 202.8 " 212 "
Shpenzime kapitale 90.4 " 102.5 "
Fondi i kontigjencës 6 " 3.6 "