E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Rezoluta e SHBA, është mbështetje për zgjedhjet e lira

05/05/2005  Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare, Besnik Mustafaj, tha dje se rezoluta, që pritet të paraqesë në senatin amerikan, nga senatori Brumbeg, për zgjedhjet në Shqipëri do të jetë një mbështetje e konsiderueshme për demokracinë në vend. „Kjo rezolutë dhe ky qëndrim në kompleksin e tij do të jetë një mbështetje jashtëzakonisht e çmuar dhe një kontribut për demokracinë shqiptare. Ne bashkohemi me shqetësimet që do të ngrihen në këtë rezolutë, ku ndër më kryesorët është përdorimi i kësaj fushate, qoftë për t’u dhënë mandate njerëzve me para të dyshimta, qoftë dhe për pastrimin e parave“, tha Mustafaj. Ndërkohë, lidhur me deklaratat e senatorit Brus Xhekson, sipas të cilit kryetari i PD-së ndjek politikë antiamerikane, Mustafaj tha se Xhekson është një biznesmen që prej kohësh paguhet në mënyrë legale nga qeveria shqiptare për të ngritur lobing në SHBA. „Brus Xhekson është një biznesmen, i cili po përpiqet thjesht të kryejë biznesin e tij. Ai paguhet nga qeveria shqiptare për të bërë lobing prej disa vitesh në mënyrë legale. Dhe problemi qëndron se për shkak të honorareve, që ka marrë me qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nuk ka mundur ta mbajë këtë angazhim. Ky angazhim nuk është gjë tjetër vetëm se një marrëveshje tregtare mes tij dhe qeverisë shqiptare, pasi kishte deklaruar që para dy vitesh se në Samitin e Stambollit do të bëhet i mundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Ka dhënë disa afate të tjera, për të cilat është paguar me qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në këtë organizëm, afate që s'ka mundur t’i mbajë, për shkak të punës së qeverisë shqiptare“, tha Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›