E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI nuk ndan përgjegjësi me këtë lidership

05/05/2005  Meta përjashton mundësinë e bashkëpunimit para dhe paszgjedhor me PS

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e ka cilësuar të pamundur bashkëpunimim mes Partisë Socialiste dhe forcës së tij politike. Disa orë pas deklaratës së kryetarit të mazhorancës socialiste, ku thuhet se “PS-ja është e hapur për të pranuar të larguarit”, nuk ka vonuar dhe kundërpërgjigjja e Metës. Duke iu drejtuar në distancë Kryeministrit Nano, Meta tha se “LSI-në nuk ndan më asnjë përgjegjësi me këtë lidership të dështuar dhe të pamoralshëm, që e ka larguar vendin nga Bashkimi Evropian për interesa të ngushta korruptive dhe abuzive”. Ndërkohë që Nano e ka cilësuar si një hap demokratizues zyrtarizimin e fraksioneve brenda PS-së dhe indirekt ka shprehur se për LSI-në ekziston vendi në bashkëpunimin mes dy forcave, Meta vlerëson se hapat e hedhur janë vetëm politika monopoliste.

Deklarata

Duke marrë shkas nga gjendja ekonomike e shqiptarëve, Meta ka gjetur pikën ku synon të godasë Kryeministrin Nano. Sipas tij, “nuk mund të ketë realizim të progresit tonë, ulje të varfërisë dhe më shumë mirëqenie për shqiptarët, në rast se nuk do të luftojmë evazionin e jashtëzakonshëm fiskal dhe korrupsionin e paparë të monopoleve në fuqi”. Ndërkohë që Meta ka përforcuar vendosmërinë e partisë së tij për të përballuar dy partitë aktualisht kryesore në Shqipëri. “LSI është e vendosur për të sfiduar të dy partitë e vjetra dhe politikat e tyre të pamoralshme, dhe nuk do të bëjë asnjë aleancë apo kompromis as para dhe as pas zgjedhjeve me monopolet në pushtet”, tha Meta. Në këtë mënyrë, LSI përjashton dhe mundësinë e koalicionit paszgjedhor me socialistët, duke kërkuar prej anëtarëve të LSI-së fitoren e shumicës së mandatit të deputetëve.

Takimet

Meta ka zhvilluar dje një tur takimesh në fshatrat e Lumit të Vlorës, ku ka premtuar përmirësim dhe zhvillim të infrastrukturës të kësaj zone për të rritur dhe nivelin e tregtisë. Njëkohësisht, Meta shprehu vendosmërinë e LSI-së për të ngritur një sistem kreditimi të veçantë për bujqësinë, nëpërmjet krijimit të një banke me profil bujqësor, si dhe ngritjen e “Fondit të Garantimit të Kredive Bujqësore” si mjet garancie për bankat apo institutet e kreditit, që do të financojnë agrobiznesin, në mënyrë që të zgjerohet kreditimi edhe nga bankat e tjera. Ky veprim, sipas Metës, duhet të ndërmerret “që të zhvillohet bujqësia dhe nxjerrjen e saj nga kriza e thellë, ku e kanë futur monopolet qeveritare. Nxitja e prodhimit bujqësor vendas, duke i kushtuar një rëndësi të veçantë uljes së kostos, plotësimit të standardeve për ta bërë atë konkurrues në tregjet e brendshme dhe ato të jashtme. Në veçanti, LSI angazhohet të heqë pa kufizim akcizën e naftës për mekanikën bujqësore dhe serat“.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›