E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet ligji për përgjimin e policëve dhe Ministrisë së Rendit

05/05/2005  SHKB do të ketë të drejtë të përgjojë e mailet dhe telefonat

Parlamenti ka miratuar projektligjin për procedurat e përgjimit të punonjësve të policisë dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Rendit. Drafti i propozuar nga qeveria dhe i përmirësuar nga komisionet parlamentare i atribuon Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kompentenca të policisë gjyqësore. Në zbatim të kodit të procedurës penale, oficerët e SHKB-së kanë të drejtën që të disiplinojnë dhe kontrollojnë moralin dhe etikën profesionale të punonjësve në uniformë. Kjo në të gjitha rastet që vijnë sinjalizime nga struktura të ndyrshme, apo qoftë dhe nga qytetarë. Pas mbledhjes së informatave, duke iu referuar dhe ligjeve në fuqi, fillojnë procedurat e përgjimit, të cilët edhe për punonjësit e policisë janë të njëjtat si për çdo qytetar të thjeshtë, por në këtë rast është SHKB që do të përgjojë dhe jo policia gjyqësore, apo SHISH. Në këtë mënyrë, të dhënat e marra nga përgjimet, që do të bëhen prej SHKB-së, do të përdoren si provë në gjyq. Megjithatë, hetimet e telefonisë, apo dhe të e-mailit, do të bëhen vetëm në rast se do të merret urdhri prej Prokurorit të Përgjithshëm, që mbetet personi i vetëm, që urdhëron përgjime të tilla.

Fenomeni

Shkeljet e punonjësve të policisë tashmë janë bërë objekt i kritikave të shumta të raporteve ndërkombëtare dhe vendase. Disa kohë më parë, ministri aktual, Igli Toska, ndërmori një sërë masash, duke përjashtuar nga radhët e bluve zyrtarë të lartë, kjo me akuzën për korrupsion dhe shkelje të etikës morale dhe profesionale. Rend brenda Rendit, ishte dhe nisma më e fundit e ministrit, e cila, me sa duket, duhet të shoqërohej dhe me plotësimin e kuadrit ligjor për pastrimin e radhëve të policisë nga të inkriminuarit. Sipas anëtarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Shaban Memia, “me miratimin e këtij projektligji janë minimizuar në maksimum kompetencat represive të ministrit të Rendit”.

Procedura

Objekti i punës së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, me miratimin e projektligjit, do të jetë parandalimi, zbulimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale, që kryhet nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të Ministrisë së Rendit Publik, si dhe të shkeljeve të tjera, të parashikuara në aktet nënligjore. Gjatë hetimeve në veprimtarinë e vet, SHKB-ja është e detyruar që të zbatojë dhe detyrime të tjera ligjore, të parashikuara në ligjin për përgjimin e telekomunikacioneve. Në këtë mënyrë sanksionohet se është kreu i institucionit përkatës, që kërkon nisjen e hetimeve. Ligji parashikon dhe bashkëpunimin me persona jashtë SHKB-së. Në këtë rast, ministria urdhëron shpërblime prej një fondi të veçantë, që do të përdoret për këtë qëllim.

Detyrat e SHKB

- Të mbledhë, administrojë, ruajë dhe verifikojë të dhënat për vepimtari kriminale

- Grumbullimojë, verifikojë dhe vërtetimojë të dhënat, nëpërmjet aplikimit të procedurave të punës për: burimet e hapura dhe të fshehta të informacionit; intervistimin e denoncuesve, ankuesve dhe regjistrimin e hapur vullnetar të këtij procesi me mjete teknike; mbikëqyrjen e fshehtë fizike; kontrollin e korrespondenës e komunikimeve; përgjimin, filmimin, regjistrimin e fotografimin.

- SHKB kryen veprime operacionale për: depërtimin në mjedise dhe grupime kriminale për kërkimin e informacionit; infiltrimin e punonjësve të fshehtë të shërbimit apo bashkëpunëtorëve të tij, në mjedise apo grupime kriminale.

- Procedurat për mbledhjen, administrimin, ruajtjen, verifikimin e të dhënave, kryerjen e operacioneve, përcaktohen me akte të veçanta të ministrit të Rendit Publik.

- Shpërblimi i personave që bashkëpunojnë me SHKB-së: shpenzimet për sigurimin e informacionit; shpenzimet në veprimtarinë verifikuese apo hetimore paraprake të kryera nga punonjësit e SHKB-së; blerjen në funksion të veprimtarisë verifikuese, me procedurë prokurimi të drejtpërdrejtë, marrja me qira e objekteve dhe mjeteve në funksion të veprimtarisë verifikuese përballohen nga fondi i veçantë i këtij shërbimi, i cili zë 30% të buxhetit vjetor të miratuar për SHKB-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›