E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Më 5 qershor shqyrtojmë kërkesën për referendum

Më datën 5 qershor do të shqyrtohet kërkesa për mbajtjen e referendumit kushtetues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi dje se mbledhja është caktuar për ditën e enjte, në orën 10:00. Ky hap u ndërmor pasi grupi nismëtar depozitoi në këtë institucion kërkesën zyrtare me firmat e kërkuara. Pritet që në këtë datë të mund të merret vesh fati i nismës dhe nëse do kalohet apo jo në mbledhje firmash në popull.

Deklarimi

Në orët e paradites, kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, konkretizoi nismën për referendum. Në protokollin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u arkivua kërkesa për të kaluar në shqyrtim të mëtejshëm. Pak orë më vonë, zyrtarisht, zëdhënësi i këtij institucioni, Leonard Olli, deklaroi se rendi i ditës për mbledhjen e datës 5 qershor është "shqyrtimi i kërkesës së Komitetit të Mbrojtjes së Kushtetutës, për fillimin e procedurave për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt ‘Shfuqizimi i nenit 5, 7 dhe 8 të ligjit nr.9904, datë 21.04.2008‘". Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë nëntë anëtarë, ndërsa vendimet merren të paktën në raportin 6 me 3.

Nisma

Kryetari i komitetit, Artur Zheji, dhe anëtari Andrea Stefani sqaruan para medias shtyllat kryesore ku mbështetet kërkesa. "Sot kemi gati jo vetëm kërkesën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por dhe firmat për këtë kërkesë, pra për të tërhequr formularët, të cilët pastaj do t‘i mundësojnë shqiptarët për të nënshkruar", tha Zheji. Kjo kërkesë është firmosur nga grupi nismëtar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, por ka dhe disa firma të konsideruara shumë prestigjioze. Ndër to spikat emri i ish-presidentit Meidani. "Gjithashtu, ka nënshkruar zoti Alfred Moisiu, ish-president dhe shkrimtari i madh Dritëro Agolli. Kuptohet, kemi edhe firmën e zotit Ilir Meta", vijoi Zheji. Në këtë listë emrash figuron edhe solidariteti i shoqatës MJAFT, përmes Erisa Spiropalit. "Kemi zotin Dashamir Shehin, deputetin Taulant Dedja, Ëngjëll Bejtaj, Petro Koçi, zotin Ali Malaj, zotin Paskal Milo, zotin Neritan Ceka, si dhe analistin Fatos Lubonja", u shpreh Zheji. Dy analistët vunë në dukje se firmat e dy ish- presidentëve, zotit Meidanit dhe zotit Moisiu, të cilët në një hark kohor pothuajse dhjetëvjeçar kanë qenë garantët e Kushtetutës e unitetit popullor. "Kanë zhvilluar karrierën e tyre presidenciale e janë larguar nga pozicioni presidencial pa as më të voglën përfolje, me prestigjin e dy presidentëve të nderuar. Pra, këta zotërinj, me reputacionin që kanë, e kanë parë të udhës që të nënshkruajnë këtë kërkesë, pikërisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", tha Zheji.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›