Mungesa e ujit, Meta takon banorët e Saukut
Banorët e Saukut protestuan dje për mungesën e ujit të pijshëm. Në tubim ishte i pranishëm edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjatë protestës në bashkëbisedim me Metën, ata shprehën shqetësimin se autoritetet e pushtetit, qoftë atij qendror dhe atij vendor, si dhe deputeti i zonës, Pango, vazhdojnë t‘i gënjejnë. Meta garantoi banorët se LSI-ja dhe ai vetë personalisht do të ndërmerrte hapa të rëndësishme për të zgjidhur hallin e qindra mijëra banorëve të Saukut. Ai deklaroi se "brenda ditës së hënë, grupi parlamentar i LSI-së, do të ngrejë në Kuvend çështjen kaq shqetësuese të mungesës së ujit të pijshëm për zonën". Por duke vazhduar më tej bashkëbisedimin me banorët e Saukut, Meta u shpreh se "nëse nuk ka zgjidhje brenda një periudhe afatshkurtër, atëherë ne së bashku me ju do të dalim në protestë para Kryeministrisë dhe do të qëndrojmë aty derisa të zgjidhet ky shqetësim kaq i madh i juaji". Më pas duke bërë përgjegjëse për këtë gjendje, si qeverinë ashtu edhe Bashkinë e Tiranës, që i kanë lënë banorët në këtë gjendje kaq të rëndë, Meta u shpreh se "Rama dhe Berisha të mos bashkëpunojnë vetëm për të prishur Kushtetutën, por në radhë të parë të bashkëpunojnë për të zgjidhur problemin e Ujësjellësit, që të furnizojnë banorët me ujë të pijshëm".