KQZ: Po verifikohen firmat, dyshime se janë hedhur nga e njëjta dorë
Referendumi për mbetjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon verifikimin e firmave të qytetarëve që mbështesin mbajtjen e një referendum kundër importit të mbetjeve. Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli, ka sqaruar për mediat se afati ligjor për këto verifikime përfundon më 30 qershor. Por ai theksoi se me sy të lirë është konstatuar se shumë janë të hedhura nga e njëjta dorë.
Olli bëri me dije këto janë dërguar për verifikim në laboratorin e Policisë së Shtetit dhe KQZ po pret përgjigje nga analizat. “Më datë 19 qershor 2012, Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP), depozitoi pranë KQZ një shkresë, në të cilën kërkonte shpjegime lidhur me ecurinë e procedurave të verifikimit të nënshkrimeve dhe dokumenteve të identifikimit të shtetasve, sa i përket kërkesës për zhvillimin e Referendumit të Përgjithshëm. Në vijim, KQZ me shkresën e datës 21. 06. 2012, Nr. Prot. 6531/5, i bëri me dije grupit nismëtar se, në mbështetje të nenit 128 të ligjit nr. 9087, datë 19. 06. 2003, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, brenda 90 ditëve, afat i cili nuk ka përfunduar, pasi ligjërisht përfundon më 28.06.2012, vijon verifikimet e nënshkrimeve dhe saktësinë e dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, duke u bazuar mbi rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur. Në informim të opinionit publik KQZ bën me dije se, më datë 13 mars 2012, trembëdhjetë anëtarë të grupit nismëtar, u paraqitën në KQZ për depozitimin e kërkesës respektive si edhe dokumentacionit përkatës. Nisur nga kërkesa e grupit nismëtar, por edhe në funksion të transparencës, i gjithë dokumentacioni përkatës u mbyll në kuti me kode sigurie, në prani të të dy palëve. Këto të dhëna u protokolluan dhe proceverbalet respektivë u mbajtën edhe nga përfaqësuesit e grupit nismëtar. Prej kësaj date dhe për 17 ditë rresht, ditë pas dite, dokumentacioni u mor në dorëzim i plotë nga ana e KQZ, në prani edhe të përfaqësuesve të Aleancës, vetëm më datë 30 mars 2012. Këtë e fakton edhe proces-verbali Nr. Prot. 341, dt. 30. 12. 2012. Është pikërisht kjo data, e cila shërben për KQZ-në, në përputhje me nenin 128, të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, si fillim i afatit ligjor, ku brenda 90 ditëve, duhet të verifikojë nënshkrimet dhe saktësinë e dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, duke u bazuar mbi rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur. Në transparencë të plotë dhe duke respektuar të gjithë kërkesat e grupit nismëtar, i gjithë dokumentacioni i lartpërmendur u mor në dorëzim në prani të personave të autorizuar nga grupi nismëtar dhe nëpunësve të administratës së KQZ-së”, tha zëdhënësi i KQZ, Olli.
Nga verifikimi i dokumentacionit të kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm, rezulton se: Kërkesa për zhvillimin e referendumit është depozituar në përputhje me afatin e përcaktuar në nenin 127, pika 2 të Kodit Zgjedhor;
Grupi nismëtar rezulton se ka depozituar gjithsej 3798 Flet-Tip, në të cilat janë 65649 shtetas që kanë nënshkruar dhe 64655 kopje të kartave të identitetit, pra rreth 20% më shumë se numri limit, i përcaktuar me ligj. Volumi i punës për kryerjen e verifikimit ishte i madh jo vetëm për numrin e madh të zgjedhësve që kanë nënshkruar, por edhe për shkak se dokumentacioni i paraqitur kishte parregullsi dhe është plotësuar në kundërshtim me rregullat e vendosura nga KQZ me vendimin Nr. 1236, datë 22. 12. 2011 “Për shqyrtimin e kërkesës së gjashtëmbëdhjetë nismëtarëve për pajisjen me fletë-tip për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për referendum të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të Ligjit Nr. 10463, datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Por, përtej parregullsive teknike, në vijim të verifikimit të nënshkrimeve dhe dokumentacionit përkatës, me sy të lirë, u krijua dyshimi se, shumë emra të zgjedhësve dhe nënshkrimet përkatëse të tyre ishin të plotësuara nga e njëjta dorë. Në këto kushte, të ndodhur para një mundësie falsifikimi të dokumentacionit, KQZ më dt. 12.06.2012, i dërgoi një kampion të Modeleve-Tip, në Drejtorinë e Policisë Shkencore, për të bërë verifikim të specializuar të emrave dhe nënshkrimeve të zgjedhësve për të cilat kishte lindur dyshimi i falsifikimit”, sqaroi më tej Olli.