E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivotimet vëzhgohen nga 100 ekipe

Nga Express më 07 janar 2011 në ora 14:30

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë, Pieter Feith po koordinon “Misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë” për të përcjellë rivotimin në 62 qendra votimi dhe 185 vendvotime në komunat Skenderaj, Drenas dhe Deçan dhe në qendrat e zgjedhura të votimit në Lipjan dhe Malishevë.

Nën kornizën e “Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë 2010”, më 9 janar, 100 ekipe të Vëzhgimit të Zgjedhjeve do të përcjellin çdo fazë të zgjedhjeve në ditën e votimit. Këtë herë ekipet do të jenë statike, që do të thotë ato do të qëndrojnë në një qendër votimi gjatë gjithë ditës. Një ekip do të mbulojë nga një deri në tre vendvotime.

Ekipet e vëzhgimit do të përbëhen nga anëtarë të stafit të ICO/EUSR-së, anëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë si dhe nga diplomatë të vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ekipet e vëzhgimit do të bëjnë raportimin e konstatimeve të tyre në Qendrën Operative në zyrat e ICO/EUSR-së në Prishtinë.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nuk është zëvendësues i misionit zyrtar të monitorimit. Zgjedhjet do të certifikohen nga organi relevant i Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa qëllimi i Misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve 2010 është të inkurajojë mbajtjen e zgjedhjeve që përmbushin standardet ndërkombëtare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›