E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Zgjedhjet janë në rrezik

12/06/2005  Ilirian Celibashi paralajmëron krerët e pushtetit vendor për nisjen e ndjekjes penale

"Nëse listat paraqiten më dat 17, mos prisni që të bëhen votime"

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka paralajmëruar dështimin e zhvillimit të votimeve më datën 3 korrik, nëse brenda 3 ditëve kryetarët e bashkive dhe komunave nuk paraqesin listën e zgjedhësve për çdo njësi. Duke e cilësuar situatën tepër të vështirë, Celibashi ka kërkuar nga krerët e njësive vendore që, brenda ditës së hënë, të paraqesin të dhënat e kërkuara. Në rast se ky afat nuk do të realizohet, atëherë ai është shprehur se KQZ do të dërgojë për ndjekje penale në prokurori të gjithë kryetarët e bashkive dhe të komunave. "Ligjërisht afati i dytë, i vendosur nga KQZ-së, ka përfunduar që më 16 maj. Ne kemi pranuar faktin që Ministria e Pushtetit Vendor ka shtyrë afatin e përgatitjes së listës dhe ky afat përfundoi që më datën 8 qershor dhe përsëri vazhdojmë të kemi probleme. Dua të theksoj se, nëse do të jetë data 17, ashtu sikundër flitet, afati për dorëzimin e listave, atëherë mos prisni se do të bëhen zgjedhje më 3 korrik. Edhe pse mund të duket një deklarim i fortë, kjo është e vërtetë. Data 17 është një datë që rrezikon procesin zgjedhor. Ditën e hënë, ne duhet të kemi listën përfundimtare", tha Celibashi. Listat duhet të jenë të detajuara prej krerëve të njësive vendore, sipas qendrave të votimit. Të dhënat që do të jepen do t'i kalojnë menjëherë firmës, që do të prodhojë fletët e votimit. Kjo për vetë faktin se firma do të shtypë aq fletë votimi sa janë zgjedhës, sipas qendrave të votimit, pasi numri dhe emrat e kandidatëve ndryshojnë nga njëra njësi në tjetrën. Detyrimin ligjor deri më tani e ka zbatuar vetëm kryetari i Bashkisë së Elbasanit.

Gjobat

Kryetari i KQZ-së ka bërë të ditur dje se janë vendosur gjoba ndaj disa kryetarëve të njësive vendore, që nuk respektuan afatin e parë, që kishte të bënte me dërgimin e listës paraprake. "Tashmë ky proces është i mbyllur dhe tani ne kërkojmë listën përfundimtare për çdo qendër votimi, sepse, përndryshe, KQZ nuk prodhon dot fletë votimi, sepse ne nuk e dimë sesa fletë do të prodhojmë", tha Celibashi. Ai ka kërkuar që deri ditën e hënë në mëngjes në KQZ duhet të paraqitet numri i qendrave të votimit për çdo njësi të qeverisjes vendore dhe numri i zgjedhësve në listën përfundimtare për çdo qendër votimi. KQZ e konsideron këtë një papërgjegjshmëri absolute të organeve të qeverisjes vendore dhe të autoriteteve të tjera, që në një mënyrë apo në një tjetër mund të përfshihen në këtë çështje, pasi ka qenë gjithë koha e mjaftueshme për të përgatitur informacionin dhe për ta dërguar në KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›