E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano urdhëron kandidatët të mos dalin në media me Mediun

12/06/2005  PS merr masa për debatin mes Shehit dhe kreut të PR

Kryetari i Partisë Socialiste u ka kërkuar të gjitha kandidatëve të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare që të mos pranojnë ballafaqimin në media me kreun e PR-së, Fatmir Mediu. Shkak është deklarata e dy ditëve më parë të drejtuesit ekzekutiv të LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili tha se Mediu është dënuar me tri vjet burg prej Gjykatës italiane. Në lidhje me këtë akuzë, zëdhënësi i Kryeministrit tha dje se "kjo është një çështje që i takon Mediu ta sqaroj, por në emër të Kryeministrit i bëjmë me dije të gjithë mediave dhe opinionit publik se duke filluar që sot, asnjë kandidat për deputet i Partisë Socialiste nuk do të marrë pjesë në debate politike me Mediu, kryetar i PR, dhe një nga bashkëpunëtorët e aleatët më të ngushtë të z.Berisha, në shenjë refuzimi ndaj këtij skandali politik dhe çështjeve, në të cilat duket se është implikuar z.Mediu". Nga ana e tij, Mediu i ka hedhur poshtë këto akuza, duke paraqitur një dokument të Gjykatës së Lartë italiane, që e deklaron Mediun të pafajshëm. Madje, ai ka theksuar se deklarata e Shehit është e iniciuar prej kryesocialistit. Për Mediun, vetë LZHK është një forcë e vënë në shërbim të socialistëve, ndaj dhe i ka kërkuar elektoratit të djathtë që të mos e votojnë këtë lëvizje. Në mbështetje të Mediut, duket se ka ardhur dhe një deklaratë e Prokurorisë, që vërteton se nuk ka asnjë kërkesë për ndjekjen penale të Mediut prej gjykatave të huaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›