E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ cakton anëtarin e shtatë të KZAZ

19/02/2009  PD dominon në Shkodër, Fier dhe Kukës, ndërsa PS në Lezhë dhe Dibër

Komisioni do përcaktojë organizimin e zyrave rajonale zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar përmes një shorti se cila nga dy paritë e mëdha në vend, Partia Demokratike apo Partia Socialiste, do të ketë anëtarin e shtatë, rrjedhimisht edhe dominancën e anëtarëve në komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve. Pas shortit të hedhur në mbledhjen e zhvilluar dje paradite në KQZ, rezultoi se PD-ja do të ketë anëtarin e 7-të në KZAZ-të me numër rendor çift dhe PS-ja në KZAZ-të me numër rendor tek.

Shorti

Nga 66 KZAZ-të që do të ngrihen gjithsej në të gjithë Republikën e Shqipërisë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, 33 KZAZ do të kenë në përbërje më shumë anëtarë të PD-së dhe në 33 KZAZ-të e tjera do të ketë më shumë anëtarë të PS-së. Në mënyrë të veçantë në Qarkun e Tiranës, në gjysmën e 16 KZAZ-ve PD-ja do të ketë një anëtar më shumë dhe në gjysmën tjetër PS-ja. Në numër të barabartë ndahen komisionet zonale të Beratit, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Vlorës. Ndryshe do të jenë për komisionet e Lezhës dhe të Dibrës, ku anëtari i shtatë do të jetë i PS-së dhe ndryshe edhe për komisionet në Shkodër, Kukës, Fier, ku anëtari i shtatë do i përkasë PD-së. Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, subjektet politike duhet të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e komisionerëve të tyre për 66 komisionet zonale brenda datës 15 mars. Gjatë mbledhjes së djeshme Lëvizja Socialiste për Integrim, së cilës nuk i përket asnjë anëtar në këto komisione, përmes përfaqësuesit të saj në KQZ shprehu vërejtjet për mënyrën e monitorimit të procesit me kamera.

Zyrat rajonale

Gjatë mbledhjes së sotme KQZ-ja do të diskutojë – me qëllim miratimin – udhëzimin “Për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e zyrave rajonale zgjedhore”. Sipas draftit, parashikohet ngritja për një periudhë 6-mujore (4 muaj para dhe 2 muaj pas zgjedhjeve) e zyrave rajonale zgjedhore në çdo qark, të cilat korrespondojnë me 12 zonat zgjedhore të përfshira në territorin e qarkut përkatës. KQZ-ja me ngritjen e këtyre zyrave synon ndërtimin e një sistemi të veçantë komunikimi KQZ-KZAZ dhe anasjelltas, e cila do të bëjë akoma më të menaxhueshëm dhe të administrueshëm procesin zgjedhor në tërësi. KQZ-ja do të ndajë me këto zyra një nivel të lartë informacioni dhe dokumentacioni, duke u krijuar këtyre zyrave kushte maksimale logjistike dhe duke u dhënë akses maksimal për shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit zgjedhor, sidomos për ato raste në të cilat KZAZ-të apo aktorët e tjerë të interesuar nuk kanë mundësi komunikimi direkt me administratën e KQZ-së. Në zyrat rajonale për këto zgjedhje do të punojë vetëm inspektori rajonal i çdo qarku. Ai do të mbajë lidhje të vazhdueshme me të gjitha komisionet e zonës së administrimit zgjedhor (KZAZ), që ai mbulon, duke u dhënë zgjidhje në kohën e duhur problemeve që do të dalin në këtë nivel. Po ashtu ai do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me KQZ-në, në veçanti me inspektorët e Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore, të cilët mbulojnë njësitë vendore përkatëse ose me drejtoritë e tjera në varësi të problematikës.

Detyrat e inspektorit

Dhënien e asistencës profesionale për komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta për çështje që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e tyre, njohjen dhe zbatimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor.

Transmetimin në kohë të vendimeve dhe udhëzimeve të KQZ-së te këto komisione dhe anasjelltas.

Sigurimin e informacionit në terren në lidhje me problematikën që kanë KZAZ-të, KQV-të dhe GNV-të.

Do të japë ndihmesën e duhur për zgjidhjen e problemeve logjistike të shpërndarjes dhe grumbullimit të bazës materiale zgjedhore, kryesisht ato për pritjen dhe shpërndarjen e bazës materiale zgjedhore për KZAZ-të, brenda afateve të përcaktuara në ligj.

Vendosjen e kontakteve me subjektet zgjedhore për çështje që kanë të bëjnë me ngritjen, emërimin, shkarkimin, lirimin apo zëvendësimet e mundshme të komisionerëve zgjedhorë të niveleve të dyta dhe të treta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›