E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ certifikon rezultatin e zgjedhjeve lokale te 8 Majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë fund zyrtarisht zgjedhjeve lokale të 8 majit, përmes miratimit të vendimit për shpalljen e rezultatit përfundimtar të kësaj gare elektorale.

Kryetari i Komisionit, Arben Ristani, ka vlerësuar në tërësi procesin zgjedhor, duke nënvizuar arritjen e standardeve.

Por, mbledhja e KQZ-së, e cila në thelb ishte thjesht formale, pasi të gjithë krerët e bashkive dhe komunave kishin marrë ligjërisht mandatet e tyre, kaloi përmes debateve.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, në fjalën e tij mbajti një qëndrim tërësisht politik dhe tendencioz në adresë të kryekomisionerit Ristani.

Debati u transportua menjëherë në tavolinën e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Komisionerët, të propozuar nga opozita dhe mbështetës të linjës së saj politike, në momentin kur u ftuan të flisnin në parim mbi projektvendimin, iu rikthyen qëndrimeve politike.

Por kjo mënyrë trajtimi e çështjes, u kundërshtua nga Ristani.

Pas përcjelljes së këtyre qëndrimeve politike, komisionerët mbështetës të opozitës e braktisën mbledhjen, duke mos respektuar detyrimet e tyre ligjore.

Miratimi i vendimit, shërben si pikënisja zyrtare e mandatit të krerëve të njësive të pushtetit vendor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›