Mediu: Qeveria, realitet i ri për pronarët
Edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, republikanët e konsiderojnë zgjidhjen e çështjes së pronave si objektiv kyç të forcës së tyre politike. Sipas kryetarit Mediu, qeverisja e djathtë do të krijojë një realitet të ri për pronarët, pasi vetëm ajo do të mund t’i japë zgjidhje problemit të pronësisë në Shqipëri. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë takimit me simpatizantët e kësaj force në Korçë, foli dje për mbështetjen ndaj pronarëve. "Të ndërtojmë realitetin nëpërmjet iniciativës së shqiptarëve, të mbështesim me investime, në infrastrukturë, investime drejtpërdrejt në agrobiznes apo dhe në biznese të ndryshme në mënyrë që t’u japim mundësi shqiptarëve që atë që besojnë, ta kthejnë në realitet", - u shpreh z. Mediu. Kryetari i PR-së prezantoi kandidaten e PR-së për deputete në Korçë, znj. Myrvete Pazaj. Edhe demokristianët e Nard Ndokës do të punojnë që pronat e gjithë Shqipërisë dhe bregdeti i Vlorës t’u rikthehet pronarëve të ligjshëm, duke dhënë kontributin e tyre maksimal. Kryetari i PDK-së, Ndoka, prezantoi dje në Vlorë kandidatin për deputet, Baki Jazaj, gjatë një takimi që zhvilloi me mbështetësit e saj në sallën "Petro Marko". Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh se "Poli i lirisë", koalicioni i përbërë nga partia e tij, LZHK dhe shoqata "Pronësi me drejtësi" do të jetë një zë i fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës.